Policia raporti dinamikën e plagosjes së efektivit Edlir Alleshi, përfshirë edhe fshehjen e kolegëve të tij pas krismave të lëshuara nga autori Klered Bozhanaj, Policia e Shtetit ka shpërndarë në media “versionin zyrtar” të ngjarjes.
Ky version zyrtar ndryshon në disa elementë thelbësorë nga e vërteta, që siguroi nga burime shumë të besueshme.
Të dhënat konfirmohen edhe nga një video e ngjarjes, e siguruar në mënyrë ekskluzive nga redaksia.
Por, më së pari po raportojmë versionin e policisë e më tej po kryejmë krahasimin me videon.
Sipas “versionit zyrtar” të Policisë:
Rreth orës 18:50, 20 shtator patrulla ka qenë duke patrulluar në pallatet e kompleksit “Gjura”, në Tiranë.
Edlir Alleshi dhe efektivi i tij kanë parë një person që qëndronte në këmbë në lulishte duke pirë cigare të cilin pasi e kanë kaluar kanë vënë re se po i largohej prezencës së policisë. Pasi kanë vërejtur lëvizjen e tij kanë vendosur ta pyesin duke ju prezantuar në mënyrë të qartë që ishin punonjës policie, por kanë marrë një përgjigje arrogante prej ketij personi i cili ju ka thënë “ik më lini rehat”.
Në këto kushte punonjësit e policisë kanë ndaluar motorin për të kryer një verifikim por ai është larguar me vrap duke hyrë në shkallët e pallatit. Pas largimit me vrap Alleshi e ka ndjekur nga pas nëpër shkallë. Pas tyre ka shkuar dhe efektivi i dytë.
Alleshi i ka thënë kolegut se personi që po ndiqnin ishte i armatosur.
“Gjatë ndjekjes nëpër shkallë të përsonit që po ndiqnin janë qëlluar me armë zjarri nga sipër po nga ky person. Të ndodhur në këto kushte punonjësit e Policisë janë kthyer pas për të siguruar vetëm si dhe për të bllokuar hyrjen e pallatit. Në momentin që kanë dalë në hyrje të pallatit efektivi tjetër ka shkuar te lokali duke njoftuar klientët të largoheshin pasi kishte të shtëna me armë zjarri.
Gjatë kohës që ndodheshin para hyrjes së pallatit Alleshi i ka treguar se ishte plagosur. Menjëhere ka marrë efektivin e ka futur bashkë edhe me dy kolegët e tjerë të cilët ishin afruar e kanë futur në makinë dhe e kanë nisur për në Spital me qëllim dhënien e ndihmës mjekësore”.
Pra, identifikohen të paktën dy elementë në “versionin zyrtar”: 1. Kanë shkuar tek lokali për të njoftuar klientët dhe; 2. Alleshi, kur ka qenë para hyrjes së pallatit, ka treguar se ishte plagosur.
Por, ndërkohë, nuk përmendet fare se në vendngjarje kishte qenë edhe një motor i dytë me efektivë të “Shqiponjave” policore.
Tani kalojmë tek video e ngjarjes.
Pamjet dëshmojnë pjesën e jashtme dhe të brendshme të lokalit që gjendej pranë vendit të ngjarjes.
Në pjesën e jashtme të lokalit (në të djathtë të videos) gjendet Edlir Alleshi. Ndërsa në pjesën e brendshme të lokalit është kolegu i tij, me të cilin qëndron dhe udhëton me motor gjatë shërbimit.
Video ka regjistruar momentin e plagosjes së Alleshit në bark dhe kjo duket qartësisht nga lëvizjet e tij. Në momentin e plagosjes, efektivi Alleshi gjendet përpara lokalit (dhe jo para pallatit).
Ndërkohë, kolegu i tij (në të majtë të videos), duket qartë që vrapon në brendësi të lokalit dhe fshihet në zonën pranë tualetit.
Në lokal nuk ka asnjë klient që “mund të ishte në rrezik”, sipas versionit zyrtar të policisë.
I vetmi person civil në lokal është kamarieri (me bluzë të bardhë), i cili i ka qëndruar pranë efektivit të plagosur.
Kjo video nuk tregon se ku ishin dy efektivët e tjerë, të cilët kanë qenë vetëm 20 metra larg kolegut të plagosur, por që gjithashtu janë fshehur dhe nuk kanë parë asgjë nga dinamika e ngjarjes pas të shtënave.
Madje, nuk kanë parë as se ku ka shkuar autori i ngjarjes.
Në versionin zyrtar të policisë thuhet se Klered Bozhanaj hipi në shkallët e pallatit, por nuk thuhet askund se ku iku dhe se si iu largua ai forcave policore, “të cilat po e mbanin nën mbikqyrje”.
Bozhanaj, kishte hipur në hyrjen tjetër të pallatit ku jetonte dhe aty qëndroi për rreth 24 orë, derisa u bind që të shkonte në shtëpinë e tij, ku edhe u arrestua nga Policia.