
Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Kukësit, Admir Sinamati ka vijuar të denoncojë shkeljet ligjore nga ana e kandidatit të PS-së para dhe gjatë fushatës elektorale, si dhe në ditën e votimit dhe numërimit të votave.
Sinamati ka renditur një sërë shkeljesh, ku sipas tij ky fenomen ka vetëm një emër, deformim kriminal të vullnetit të qytetarëve të Kukësit gjatë 14 majit.
Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Kukësin, i ka ndarë shkeljet flagrante në tre faza, ku sipas tij dominojnë punësimet elektorale, presionet mbi administratën publike, tenderat abuzive gjatë fushatës, si dhe shkeljet e gjetura nga KLSH për firmën e Safet Gjicit në kompaninë që ia kishte transferuar të vëllait, duke përfiturar tender 10 milionë euro nga Ujësjellësi Tiranë, para të cilat dyshohet se janë përdorur për të blerë vota në Kukës.
Sinamati: “Jemi sot në vazhdën e denoncimeve që ka bërë PD për farsën elektorale të 14 majit për të dëshmuar me fakte prova dhe gjithçka rreht deformimit kriminal të zgjedhjeve të 14 majit në Bashkinë e Kukësit. Ne i kemi quajtur shkelje ligjore gjatë fushatës elektorale, por ky fenomen ka vetëm një emër, deformim kriminal të vullnetit të qytetarëve të Kukësit gjatë 14 majit.
Të flasësh për shkeljet ligjore gjatë fushatës elektorale si dhe procesit të votimit të 14 majit, do të duhen po aq ditë, po aq orë, po aq minuta sa edhe ka ndodhur fushata elektorale, sa edhe kanë ndodhur këto shkelje, pasi çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, në Qarkun e Kukësit, në Bashkinë e Kukësit, qeveria e njësuar me PS me kandidatin e saj dhe kandidatët për Këshillat Bashkiak kanë ushtruar paligjshmëri nga sekonda e parë deri në sekondën e fundit të mbylljes së procesit të votimit në Kukës.