Policia Rrugore ka gjobitur me 40 mijë lekë mjetin që i përket ministres për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj.
Kjo e fundit në automjetin e saj përdorte një fenelinë policie në mënyrë të paligjshme. Përtej masës administrative që i është vendosur nga Policia Rrugore, përdorimi i fenelinave të policisë, në mënyrë të paautorizuar nga një zyrtare, përbën një skandal.
Ndoshta Ibrahimaj nuk është zyrtarja e parë që në automjet përdor fenelina në mënyrë të paautorizuar, por është jashtë çdo logjike që një anëtare e Qeverisë të veprojë njëlloj sikundër mund të ketë me dhjetra raste të njoftuara nga policia kur në automjtetet e të “fortëve” apo atyre me precedent kriminalë të jenë zbuluar fenelina të tilla.
Njoftimi i policisë:
Sot kemi ndërmarrë masa të rrepta ndaj disa mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Në mesin e tyre janë edhe automjete të punonjësve të administratës shtetërore me imunitet.
Në videon tonë, mund të shihni se si këto mjete, përfshirë ato që përdorin fenelinat e policisë në mënyrë të paligjshme, janë trajtuar sipas ligjit.
Kjo veprimtari është pjesë e angazhimit tonë për të siguruar një mjedis të sigurt rrugor për të gjithë. Nuk ka përjashtime kur bëhet fjalë për sigurinë rrugore!