top of page

SKANDAL në ushtri! Motra e trafikantit të vrarë në Ekuador niset me mision në Sudan, pajiset me certifikatë sigurie


TIRANË- Një tjetër skandal në radhët e ushtrisë shqiptare. Migena Tresa, motra e Adriatik Tresës, i vrarë në nëntor të vitit 2020 në Ekuador si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, është pajisur me certifikatë sigurie nga Forcat e Armatosura për të marrë pjesë në një mision bashkëpunimi me Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut. Ajo që e rëndon akoma më shumë skandalin është fakti se Tresa është Majore me profesion financiere, ndërsa misione të tilla kanë si kriter kryesor rankimin si oficer zbulimi. Për ZËRI-n, Artur Meçollari, ish-Zëvendës Komandant i Forcave Detare ka treguar dhe shkeljet procedurale që institucionet e Mbrojtjes kanë bërë njëra pas tjetrës për dërgimin e Tresës në këtë mision.

Shkelja 1


Migena Tresa u pajis me certifikatën e sigurisë, pavarësisht faktit se i vëllai i saj, Adriatik Tresa, i ekzekutuar në Ekuador në vitin 2020 dyshohet si i përfshirë në trafik ndërkombëtar droge dhe akuza për vrasje. Madje ka qenë vetë Migena Tresa që ka udhëtuar drejt Ekuadorit për të marrë trupin e pajetë të vëllait të vrarë, ndërsa ka marrë dhe autorizim me shkrim nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, sot President Bajram Begaj.

"Migena Tresa para nisjes së misionit punonte te qendra SAR, profili i punës që kërkohet në misionin e OKB-së në Sudanin e Jugut është oficer zbulimi dhe majorja nuk ka asnjë lidhje me zbulimin, ka punuar në profilin e saj, dhe përpara se të ikë në 26 nëntor ka bërë dhe rinovimin e certifikatës së sigurisë dhe pse me lidhje familjare jo të përshtatshme. Ajo e ka nisur misionin 8 dhjetor 2023. Duhet thënë se pasi i vranë vëllain në ekuador në 2020-n, Migena Tresa ka marrë leje me shkrim nga Shefi Shtabit të Përgjithshëm i asaj kohe Bajram Begaj për të shkuar në Ekuador për të marrë trupin e vëllait", thotë Meçollari për


Adriatik Tresa është ekzekutuar brenda vilës së tij në qytetin e Guayakilit në prani të së shoqes në nëntor të vitit 2020. Katër autorët kanë hyrë në banesë të veshur si policë me pretendimin se kishin mandat kontrolli. Por me të konfirmuar shënjestrën ata e ekzekutuan Tresën, i cili gjeti vdekjen në vend.

Tresa akuzohej nga autoritetet e Ekuadorit për trafik ndërkombëtar droge, pastrim parash dhe vrasjen e një shqiptari tjetër.

Shkelja 2


Me sa duket të gjitha institucionet kompetente si pjesë e Forcave të Armatosura kanë “mbyllur një sy”, kur ka ardhur rasti tek Migena Tresa. Pasi as Shtabi i Përgjithshëm i FA-së, as Policia Ushtarake dhe as Shërbimi Informativ, nuk kanë konstuar faktin se Tresa është motra e Adriatik Tresës, i vënë me “pullë të kuqe” nga autoritetet në Ekuador dhe që nuk mund të pajisej me një certifikatë sigurie. Por ajo nuk kishte as kualifikimin e duhur, pasi ishte financiere dhe jo oficere zbulimi siç e kërkon kriteri për të qenë pjesë e këtij misioni.


“Pasi shpallet vendi vakant për të tilla misione, përcaktohen kriteret dhe bëhen kërkesat nga personeli i FA. Në bazë të kritereve kërkohet specialiteti, të mos ketë qenë 3 vitet e fundit në një mision të ngjashëm dhe aplikanti dërgon kërkesën në Shtabin e Përgjithshëm. Më pas bëhet seleksionimi i parë i kandidaturave, të mos ketë masa disiplinore, bëhet kontrolli i figurës, merret informacion nga Policia Ushtarake dhe në fund Shtabi i Përgjithshëm i dërgon Ministrit të Mbrojtjes jo më pak se 3 kandidatura, i cili përzgjedh një. Në këtë rast procesi i seleksionimit nuk ka funksionuar, është ‘jashtë loje’ sistemi i zbulimit, siç janë Policia Ushtarake ose Shërbimi Informativ. Asnjëra nga hallkat nuk ka raportuar, pasi në të tilla raste ligji e përjashton pajisjen me certifikatë sigurie, rrjedhimisht dhe dërgimin në mision”, u shpreh Meçollari.

Më 1 janar të këtij viti, Migena Tresa, ka përshëndetur nga Sudani Presidentin Begaj si pjesë e misionit paqeruajtës të OKB-së i cili ka qenë dhe në prani të disa gjeneralëve. Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcave Detare, u shpreh se përveç Begaj dhe disa gjeneralë të pranishëm në atë videokonferencë e njohin historikun familjar të Tresës.



Por pse kaq shumë neglizhencë nga një seri institucionesh për të dërguar në mision jashtë Shqipërisë një majore të thjeshtë? Një nga arsyet sigurisht që është financiare. Një anëtar i këtij misioni përveç eksperiencës, përfitimeve nga pikëpamja e karrierës, merr 12 mijë lekë të rinj në ditë, përveç pagës.

Vetë Meçollari por dhe shumë zëra që flasin për Zërin thonë që gjithashtu shumë emërime në FA janë tërësisht në shkelje të ligjit, madje disa emërime bëhen përmes procedurave të dyshimta dhe korruptive.

Precedentët:


Por ky nuk është rasti i vetëm. Pasi pavarësisht të shkuarës familjare dhe motra e Nuredin Dumanit, tashmë bashkëpunëtor i drejtësisë u emërua në një post të rëndësishëm në Ministrinë e Jashtme. Xhuljana Dumani, mbulonte marrëdhëniet me NATO-n në dikasterin më të rëndësishëm sa i përket politikës së jashtme. Ashtu si në rastin e Treskës dhe motra e Dumanit, ishte e pajisur me certifikatë sigurie. Madje pasi i vëllai ishte arrestuar dhe diheshin akuzat ndaj tij. Nuredin Dumani akuzohet si një prej krerëve të grupeve kriminale në vend, që kanë kryer një sërë vrasjesh dhe shpërthimesh me tritol.


Për të qëndruar në radhët e ushtrisë, një tjetër rast na çon në Holandë. Ermal Dinoshi, me detyrë major në Forcat e Armatosura e shfrytëzoi misionin në Holandë për të kultivuar drogë. Ai kishte marrë një ambient me qira në Holandë, të cilën më pas në bashkëpunim dhe me persona të tjerë e kthyen atë në “Shtëpi bari”.

bottom of page