top of page

Skema e fshehjes së vrasjes në Pogradec; si ajo e vrasjes në Vlorë nga djali i anëtares së KLP-ës

Ashtu si për djalin vrasës të Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që u klasifikua “vrasje nga pakujdesia” e u dënua 18 muaj burg; edhe vrasja e Egli Progës u klasifikua “vrasje nga pakujdesia”, që do dënohet me gjobë, ose 3.5 vite burg me gjykim të shkurtuar...

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, ka alarmuar kryeministrin, drejtuesin e policisë, të Urgjencës Mjekësore, të Prokurorisë e Gjykatës së Korçës dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, jo për të bërë drejtësi, por për të pastruar krimin tyre, në mbrojtje të vrasësit patronazhist Denis Meçe.

Veprimet e organizuara, për të fshehur motivin e vrasjes më 12 gusht 2024 në Pogradec, janë identike si vrasja e ndërtuesit Armando Meshau më 7 gusht me grushte në një “Internet Cafe” në Vlorë, nga Rei Meta, djali i Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta (Seiti).Dhe Egli Proga në Pogradec, u vra në një, me grushte nga gjobvenësi Denis Meçe, për shkak se nuk pranoi t’i jepte xhiron ditore, ndërsa policia e raportoi si vdekje aksidentale, pas gjoja përplasjes te një makinë sikur ishte i dehur.

Pastaj serviri versionin e vrasjes gjatë përleshjes fizike, gjoja të nisur nga viktima Egli Proga e më pas tha se u vra nga pakujdesia; por policia, pasi mësoi se cili ishte autori i vrasjes, shkoi me vonesë në vendin e ngjarjes, deri sa të largohej autori e t’i jepte mundësi bashkë-autorëve, të sajonin një version tjetër e të pastronin provat.

Policia e Pogradecit, pengoi çuarjen në spital të Egli Progës sa ai ishte gjallë; nuk mblodhi provat fillestare; nuk hartoi raportin në vendin e krimit, nuk shpalli në kërkim menjëherë autorin e vrasjes Denis Meçe, ndërsa pasi krijoi “zonë të pastër”, improvizoi vetë-dorëzimin e tij.

Pas presionit të mediave e familjarëve të viktimës, policia dorëzoi në Prokurorinë e Korçës, procedimin me akuzën për “vrasje aksidentale në gjendje të dehur”, pastaj “vrasje nga pakujdesia” e pastaj ndryshoi akuzën në “vrasje me dashje”.

Por për gjoja “vonesë teknike”, nuk çoi në prokurori raportin me provat dhe akt-ekspertimin e policisë shkencore, që varet direkt nga Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.

Ndërsa Prokuroria dhe gjykata e Korçës, jo vetëm nuk ia kërkoi këto të dhëna policisë, por në pazar me policinë dhe me familjarët e vrasësit Denis Meçe, që ka avokat shokun e burrit të  prokurores së çështjes, ndryshuan klasifikimin e krimit: nga vrasje me dashje që dënohet minimalisht 20 vite burg, në vrasje nga pakujdesia, që dënohet me gjobë, ose 5 vite burg.

E njëjta skemë zhdukje provash, vetëdorzimi e ndryshimi akuzës, u përdor dhe për vrasjen e ndërtuesit Armando Meshau më 7 gusht 2023 me grushta në Vlorë, nga Rei Meta, djali i Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta (Seiti).

Motivi i dy vrasjeve është i njëjtë: Denis Meçe në Pogradec e vrau Egli Progan, sepse ai nuk pranoi t’i jepte gjobën banditeske; por dhe Rei Meta në Vlorë, vrau ndërtuesin Armand Meshau, sepse ai nuk pranoi t’i jepte 1 apartament falas.

Ashtu si për djalin vrasës të Anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që u klasifikua “vrasje nga pakujdesia” e u dënua 18 muaj burg; dhe vrasja e Egli Progës u klasifikua “vrasje nga pakujdesia”, që do dënohet me gjobë, ose 3.5 vite burg me gjykim të shkurtuar.

Për vrasjen e Vlorës, nuk iu bë hetim strukturave ligjzbatuese, madje KLP mbrojti kolegen Nurihan Meta, ndërsa ILD e KLGJ heshtën, pastaj thanë se do bëhet hetim, por nuk u bë asgjë.

Por të dy rastet, kanë një qëndrim të përbashkët: kryeministri Edi Rama sulmoi mediat, ndërsa policia i kërcënoi me hetim e gjyqe, pse publikuan të vërtetën e manipuluar, për të shpëtuar vrasësit e lidhur me kupolën e pushtetit.

bottom of page