Policia e Shtetit ka njoftuar arrestimin e 2 shqiptarëve dhe 3 shtetasve italianë, pasi akuzohen për krijimin e skemave të mashtrimit, me qëllim përfitimin nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së.
Blutë sqarojnë se shtetasit shqiptarë I. Q., 45 vjeç dhe E. B., 48 vjeç, janë arrestuar, ndërsa shtetasit italianë me inicialet A. D., S. C. dhe S. C. janë shpallur në kërkim.
Gjithashtu bëhet me dije se në zbatim të vendimeve të Gjykatës është bërë sekuestrimi i 3 llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 000 euro dhe 13 milionë lekë të rinj, të fituara nëpërmjet skemave të mashtrimit.
Zbulimi dhe goditja e këtij grupi vjen në kuadër të operacionit “Skema”.
"Në vijim të hetimeve vihen në pranga 2 shtetas shqiptarë dhe shpallen në kërkim 3 shtetas italianë, të akuzuar për krijimin e skemave të mashtrimit, me qëllim përfitimin nëpërmjet rimbursimit të TVSH-së.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Gjirokastër, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, kanë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit I. Q., 45 vjeç dhe E. B., 48 vjeç, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit italianë A. D., S. C. dhe S. C. Për këta shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim, “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Dhënia e informacioneve të rreme”.
Nga veprimet hetimore me metoda proaktive të zhvilluara nga strukturat hetimore të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër dhe me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë regjistruar subjekte dhe kanë lëshuar fatura me TVSH fiktive, për shërbime konsulence, duke krijuar teprica kreditore, për të përfituar më pas rimbursim të TVSH-së.
Në kuadër të këtij procedimi penal, në zbatim të vendimeve të Gjykatës është bërë sekuestrimi i 3 llogarive bankare me shumat 1 milion e 300 000 euro dhe 13 milionë lekë të rinj. Në bashkëpunim me Prokurorinë dhe autoritetet italiane, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarive kriminale, si dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.