SPAK dhe përplasja mes tri Albanave, për ilaçet e skaduar të fëmijëve në QSUT
- Editor 1
- Aug 9, 2024
- 2 min read

Përtej betejës mes tre Albanave, SPAK ka detyrim të hetojë nëse flakonëve u janë ndryshuar datat e skadencës, që të mos i asgjësonin e i kanë regjistruar si blerje të reja, për të grabitur 1.3 milionë Euro; por dhe si krim të organizuar mjekësor ndaj fëmijëve me qëllim përfitimin, të dyja vepra penale të parashikuara në Kodin Penal...
Prej 1 muaji, deputetja e PD, Albana Vokshi, po denoncon skandalin e ish-Drejtoreshës së QSUT, Albana Fico, kryer nëpërmjet urdhrit të saj dhënë vartësve, për të ndryshuar datat e skadencës së ilaçeve të pediatrisë.
Skandali është ky: Në farmacinë qendrore të QSUT, ishin gjendje 1137 flakonë medikamenti “Feiba- Factor VIII Inhibitor Bypassing Activity” me vlerë 1.3 milionë Euro; të cilëve u kishte kaluar afati i përdorimit e duheshin asgjësuar.
Këtë akuzë, Albana e PD e ka shoqëruar me urdhrin e ish-Drejtoreshës së QSUT, Albana Fico, dhënë me Memo Nr. 126/65, datë 29.12.2023, që kjo sasi medikamenti e skaduar, të mos asgjësohej, por të falsifikohej skadenca e të përdoreshin.
Sipas dokumentit, urdhri i është dhënë Mirela Rexhepit, Drejtore e Farmacisë Qendrore në QSUT; Eneida Ballës, Zv/drejtore e Farmacisë, Drejtorit të IT, Rigers Haxhiraj dhe specialistes Anisa Serjani, të cilët e zbatuan.
Pas akuzës së deputetes së PD, Albana Vokshi, reagoi menjëherë Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, duke thënë, se ish-Drejtoresha Albana Fiço nuk ka dhënë urdhër për ndryshim të datës së skadencës, mbasi në Farmacinë e QSUT nuk ka flakonë medikamenti “Feiba”.
Por mohimi i ministres Alban Koçiu, për të mbrojtur ish-drejtoren Albana Fico, u pranua nga drejtoresha aktuale e QSUT, Alma Cami, me këtë deklaratë publike: - “Sasia e mbetur prej 1137 flakonë nga donacioni i parë gjatë vitit 2023, është i papërdorshëm”.
Pra, në farmacinë e QSUT ka pasur dhe ka flakonë të skaduar; të cilët, Albana e PD i denoncoi se janë përdorur për fëmijët hemofilikë.
Por Albana e ministrisë së Shëndetësisë, i mohoi për të mbrojtur ish-Drejtoren e QSUT, Albana Fico, ndërsa kjo e fundit po hesht, megjithëse sipas mesazheve në e-maile, faktohet që u ka dhënë urdhër vartësve për të ndërruar datat e skadencës.
Përballë betejës mes tre Albanave, SPAK ka detyrim të hetojë nëse flakonëve u janë ndryshuar datat e skadencës, që të mos i asgjësonin e i kanë regjistruar si blerje të reja, për të grabitur 1.3 milionë Euro; por dhe si krim të organizuar mjekësor ndaj fëmijëve me qëllim përfitimin, të dyja vepra penale të parashikuara në Kodin Penal
Comments