SPAK ka nisur një verifikim pasuror për dy kryebashkiakët socialistë, Rakip Sulin dhe Jorgo Goron.
Mësohet se SPAK po kryen verifikim pasuror mbasi kanë regjistruar procedim penal për dyshimet e shkeljes së barazisë në tendera.Suli dyshohet se abuzoi me paratë e rindërtimit, ndërkohë që Goro gjendet në SPAK pas padisë për një aferë pronash në Himarë.
Akuzat ndaj Rakip Sulit
Rakip Suli është pyetur të paktën dy herë në SPAK gjatë javës së fundit dhe duke dalë i qeshur prej andej ka thënë se drejtësia duhet lënë të bëjë punën e saj, ndërkohë që shtoi se “sa mirë që erdhi kjo ditë”.
Teksa hynte në ambientet e SPAK, Suli tha për gazetarët se sot është paraqitur për dorëzuar disa dokumente.
"Erdha për të dorëzuar dokumentat”, tha ai për gazetarët.
Rakip Suli është rikthyer në SPAK për shkak se të hënën ishte shprehur para hetuesve ndaj disa pyetjeve që iu adresuan se nuk mbante mend detaje rreth çështjeve për të cilat akuzohet në kallëzim.
Kryebashkiaku i Kamzës kishte kërkuar kohë që të përgatiste dokumentacionin dhe sillte vendimet në fjalë për t’ju përgjigjur interesit të SPAK në kuadër të hetimeve për procedimin penal që është regjistruar.
Suli përveç paraqitjes së dokumentave lidhur me disa procedura të kryera nga Bashkia Kamëz për banesat sociale dhe akomodimit të familjeve të dëmtuara nga tërmeti, aktualisht është duke dhënë sqarime për rrethana që nuk u përgjigj dot të hënën.
Prokuroria e Posaçme pritet t’i kërkojë Rakip Sulit sqarime lidhur me hetimet që po kryhen për fondet e tërmetit të vitit 2019-të dhe një tender për pastrimin e qytetit.
Më kontretisht, Prokuroria po kryen hetimet ndaj Suli dhe zyrtarëve të tjerë për disa vepra penale, siç janë “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".
Akuzat ndaj Jorgo Goros
Kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro u paraqitet në SPAK në 5 tetor 2023.
Ndaj Jorgo Goros ka dy gjetje, kryesorja është ajo e raportit zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit i cili ka evidentuar disa dyshime në lidhje me shkeljen e barazisë në tendera por edhe me investime të caktuara në qytetin e Himarës, gjatë kohës ku Goro mbante postin dhe mandatin e tretë të kryebashkikakut të Himarës.
Gjithashtu këtyre gjetjeve, i është bashkangjitur edhe një kallëzim nga Fredi Beleri, i cili nga paraburgimi ka përforcuar zërat jo vetëm për shpërdorim detyre, por këmbëngul se ka edhe shkelje të tjera në lidhje me detyrën dhe kompetencat e Goros si kryebashkiak i Himarës. Fredi Beleri është arrestuar pasi akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Gjetja më e rëndësishme e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ka të bëjë me ndërtimin e një resorti në këtë zonë dhe me proceduat se si janë dhënë lejet e ndërtimit në zonën bregdetare të Himarës.
Goro hyri në SPAK pa praninë e një avokati, ndërsa deklaroi se ishte si një qytetar për të dhënë sqarime.