top of page

SPAK hap aferën Mcgonigal! Pse u thirr këshilltari i Edi Ramës?

McGonigal ishte i zhytur deri në fyt në marrëveshje sekrete me kryeministrin e Shqipërisë

Dorian Duçka, ish këshilltar i Edi Ramës dhe një nga personat kryesor të përfolur për çështjen e ish-kreut të FBI-së për Nju Jorkun, Charles McGonigal, është thirrur sot në SPAK.Duçka ka deponuar para prokurorëve specialë, që siç duket kanë hapur një fashikull shqiptar, përveç hetimit amerikan për çështjen. Dhe kjo është mëse normale, pasi McGonigal u dënua në SHBA për paratë që i ka dhënë Agon Neza, e që ka pasur takime të nivelit të lartë në Shqipëri.

Po përse mund të hetojë SPAK brenda vendit, përveç pjesës amerikane që tashmë është vërtetuar dhe pranuar nga ish-kreu i FBI-së?

SPAK nuk ka tjetër rrugë veçse të hetojë se përse i janë dhënë paratë dhe a ka lidhje qeveria. Në këtë rast vetë Kryeministri Edi Rama, këshilltari i të cilit është i famshmi personi B në dosjen e drejtësisë amerikane.

Siç dihet, McGonigal, ka zhvilluar takime të shumta këtu, deri edhe me kryeministrin Edi Rama, por edhe me zyrtarë të lartë të mazhorancës. Madje, atij, i është dhënë edhe një nderim nga kreu socialist i bashkisë së Tropojës, ku kanë qenë prezentë edhe zyrtarë të lartë të shumicës në pushtet.

Siç dihet, për këtë çështje është folur shumë; është folur për dhënie parash për biznesmenë e botues mediash, për të hequr emrin e tyre nga lista e zezë e SHBA-së, por edhe për çështje të tjera biznesi për të cilën flitet. Siç është edhe mundësia e lobimit për biznesmenin rus Oleg Deribaska, i cili është në listën e zezë të SHBA dhe Bashkimit Europian.

Për vizitat e McGonigal në Shqipëri, “New York Times” shkroi se: “Ndërsa ishte ende në FBI, ai krijoi një marrëdhënie me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe sipas prokurorëve të Uashingtonit ndërmori hapa që ishin në dobi të këtij politikani”.

Lidhjen mes parave që mori dhe shërbimit që i bëri Ramës e ka vënë në dukje edhe CNN, kur shkruajti: “McGonigal dyshohet se pranoi të paktën 225,000 dollarë për të ofruar atë lloj ndihme, duke gënjyer FBI-në për aktivitetet e tij, duke përfshirë udhëtimet e shumta në Evropë të paguara nga kontakti i tij shqiptar dhe të marra pa informuar FBI-në, si dhe kamufloi një marrëdhënie të fshehtë që ai mbante me Kryeministrin e Shqipërisë”.

Akoma më i drejtpërdrejtë ishte ‘Washington Post’, kur përshkroi me nota më të errëta marrëdhënien mes Edi Ramës dhe ish zyrtarit të FBI-së, “Charles McGonigal, ka marrë para për të çuar përpara interesat e kryeministrit shqiptar“, shkruan gazeta.

“McGonigal ishte i zhytur deri në fyt në marrëveshje sekrete me kryeministrin e Shqipërisë“ thotë ajo.

Shërbimi që ofroi McGonigal për Ramën është i ngjashëm me atë që kreu për oligarkun rus Oleg Deripaskën.

Ish-shefi i FBI për Nju Jorkun u angazhua personalisht në nisjen e hetimit për një kontratë lobimi të Lulzim Bashës në SHBA në lidhje me një pagesë me prejardhje të errët, prej 675 mijë USD, me të cilën ish-kreu demokrat përfitoi një foto me presidentin Donald Trump, disa intervista dhe takime përtej oqeanit.

Akt-akuza përshkruan se si Neza dhe McGonigal hynë në zyrën e Ramës në kryeministri përmes këshilltarit informal, Dorian Duçka. Neza dhe Duçka e përdorin McGonigal për të ndikuar tek Edi Rama për bizneset e tyre; tenderë nafte, shmangie kompanish ruse në favor të atyre kineze etj.

Takimi u mbajt sekret nga FBI-ja, të cilës McGonigal e kishte për detyrë t’ia tregonte lëvizjet. Ish kolegët e agjentit të FBI-së, i thanë atëherë CNN se ky duhet cilësuar si një rast korrupsioni.

Pas takimit në kryeministri gjatë muajit shtator 2017 me Edi Ramën, McGonigal mori 225 mijë USD nga Agron Neza.Në 14 nëntor 2017, sipas ligjeve amerikane, lobisti Nik Muzin i bëri transparente departamentit të drejtësisë, paratë që kishte marrë në këmbim të shërbimeve që i kishte dhënë Bashës dhe PD-së, para zgjedhjeve.

Agjensia BIRN botoi, në 23 nëndor 2017, në bazë të të dhënave të Nik Muzinit, një artikull të fortë të gazetarit Besar Likmeta, ku ende nuk përmendej hipoteza për lidhjet ruse, por hidheshin dyshime për burimet e financimit të parave që kishin mbërritur në SHBA.

Po në nëntor 2017, McGonigal rikthehet në Tiranë. Takohet me Ramën, i cili me sa duket ia kishte gjetur punën fitimprurëse që do t’i kthente nderin.

Ja çfarë shkruan New York Times: “Në nëntor, pasi z. McGonigal u takua përsëri me kryeministrin dhe z. Duçka në Shqipëri, kontaktoi të njëjtin prokuror që e kishte marrë me vete në Austri , për të nisur një hetim të mundshëm ndaj një lobisti, që kundërshtari politik i zotit Rama kishte punësuar për të pasur akses dhe mbështetje tek Presidenti Donald J. Trump”.

Nuk duket rastësi ky aksion që rrezikon Ramën nga SHBA, kur paralelisht po nga SHBA, u sulmua Aleksandër Vuçiç, si njeriu që drejton mafien në Serbi. Investigimi në fjalë u botua në prestigjozen New York Times, kohë kur në sallonet diplomatike të Tiranës u përhapën fjalë se Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç janë drejt largimit, e që flisnin pikërisht për këtë vjeshtë.

bottom of page