top of page

SPAK sekuestron bazën detare të Sarandës, pritet të dëshmojë dhe ministrja Olta Xhaçka


Prokuroria Speciale ka marrë vendimin për të sekuestruar bazën detare të Sarandës. Ky vendim vjen dy ditë pas marrjes në pyetje të ish-shefit të Forcave të Armatosura Bardhyl Kollçaku dhe denoncuesit, ish-shefit të Forcës Detare Artur Meçollari.


Kallëzimi i Meçollarit është bërë në mars të vitit 2021 dhe akuzonte ish-shefin e FA, Bardhyl Kollçaku që sot është deputet i PS, ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe presidentin Bajram Begaj, i cili në atë periudhë ka qenë në detyrë si Shef i SHtabit të Përgjithshëm të FA.


Zyrtarët më të lartë të shtetit akuzohen se ia kanë falur privatit pronat e dy bazave detare të Shëngjinit dhe Sarandës. Pasi janë kryer verifikimet përkatëse, SPAK ka regjistruar procedim penal dhe ka nisur marrjen në pyetje të personave të akuzuar.


Ish-ministrja e Mbrojtes, Olta Xhaçka pritet të merret gjithashtu në pyetje, pas dëshmisë së Bardhyl Kollçakut. Deri më sot, ajo nuk është paraqitur në ambientet e Prokurorisë Speciale për shkak të angazhimeve politike.

Në total, është një hapësirë rreth 40.000 m² e Bazës Detare të Sarandës, e cila është marrë nga privati me vendim të Këshillit të Ministrave dhe me propozim të ish-ministres Xhaçka.



bottom of page