top of page

SPAK të hetojë Check Up-in


Zef Preçi


Shërbimi i check up-it, një simotër e sterilizimit, është koncesioni tjetër i hetuar/në hetim i Ministrisë së Shëndetesisë. Ai është një kontroll bazë mjekësor për shëndetin, i cili tregon parametrat e trupit tonë si dhe shërben për të parandaluar sëmundjet që në fazat e para. Pra nje kontrolli mjekësor periodik diagnostik, një pjesë shumë e rëndësishme e kujdesit shëndetësor nje kontroll qe nga viti 2016, ai ofrohet falas për të gjithë grupmoshat nga 35-70 vjeç.

Ne kete menyre check up ka për qëllim të përcaktoj statusin tuaj shëndetësor, për të zbuluar shenjat e hershme të sëmundjeve kur shanset për trajtim dhe shërim janë më të mira, për të mësuar në lidhje me rreziqet që ju mund të keni për shkak të historisë familjare, identifikimin e faktorëve të rrezikut për sëmundjet e zakonshme kronike, zbulimin e sëmundjeve që nuk kanë simptoma të dukshme dhe menaxhimin sa më të lehtë të sëmundje që keni tani. Kështu thuhet teorikisht kur qeveria u kujdes për shendetesine falas.


“Asnjë lek nga xhepat e qytetarëve, gjithcka do të përballohet nga buxheti i shtetit”, – ulërinte në Parlament me një ironi të lexueshme i Shumëkerkuari i sotëm me 2015. Kështu erdhëm te koncesioni në fjalë…

Çështja 1: nga rreth 1 mijë shërbime online te e-Albania, rreth 50 lidhen me fjalën analizë dhe 4 prej tyre me Covid-19. Check up mungon dhe a e dini përse? Sepse nëse do të ishin hedhë të dhënat në sistem, do të realizohej edhe qëllimi për të cilin u nënshkrua kjo kontratë, por…Burime të ndryshme konfirmojnë se në vend kryhen 40-50% e kontrolleve mjekësore të parashikuara, por faturohen dhe mbi faturohen shumë më teper se kaq…


Madje edhe KLSH ka konstatuar pagesa për sherbime të pakryera, njëlloj si në koncesionet e tjera… Po kështu edhe shfrytëzimi i godinave/ambjenteve të punës, ujit, energjisë, etj., që ishin në pronësi të shtetit, por “vullneti i mirë” i drejtuesve politikë i shndërroi në dhuratë për kompaninë private…


Çështja 2: edhe me kërkesë sipas ligjit për informimin, Ministria e Shëndetesisë refuzon të japë çfarëdo informacioni mbi performancën e koncesioneve të saj, duke përfshirë edhe check up-in. Kjo jo se nuk e dinë se çfarë kërkohet, por nuk janë të interesuar për transparencën ndaj publikut. Kuptohet që vendim-marrja mbi gjetjet teknike e profesionale të check up-it (nëse do të kishte të tilla) as që është në fokusin e ketij institucioni.


Çështja 3: a është e vërtetë se mjekët e familjes janë urdhëruar zyrtarisht që të plotesojnë numrin e pacienteve në territorin e tyre me qëllim qe kompania “fituese” të vjelë buxhetin e shtetit? Në shtyp është shkruar dhe komentuar një urdhër i tillë, por vetëm kaq. Dikasteri i Shëndetesisë hesht…

Unë nuk kam kryer kurrë kontrollin e check up-it, ndoshta kështu si unë janë qindra e mijëra shqiptarë të tjerë, viktima të keq-qeverisjes.

Ndoshta këto radhe i lexojnë edhe prokurorët e SPAK, sepse kam bindjen se te katër koncesionet e shëndetesisë: Sterilizimi, hemodializa, laboratoret dhe check up-i ngjajnë si “dy pika uji”. Të paktën për nga “funksionet” që kryejnë në dobi të klientëve të qeverisë dhe në dëm të interesit publik.

Go SPAK go!

bottom of page