Në qershor 2023, Bordi i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), nën kontrollin e plotë të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, vendosi të lirojë nga detyra Administratorin e ndërmarrjes, Ardian Çela. Argumenti zyrtar ishte përfundimi i afatit 3-vjeçar në detyrë. Largimi i Çelës ishte i motivuar “ligjërisht”, por ai kërciste shumë politikisht.
Çela ishte një prej drejtorëve që kishte mbajtur postin më gjatë se shumë e shumë zyrtarë të lartë në qeverisjen e Edi Ramës. Ndoshta qëndrimi gati 10-vjeçar në Operatorin që menaxhon qindra miliarda lekë, mund ta ketë konsumuar dhe ndërmarrja ka pasur nevojë për menaxhim të rij.
Por, nën qeverisjen e Edi Ramës, lëvizjet e njerëzve të fuqishëm duhen parë nëse pasohen me ndonjë lëvizje të mundshme nga strukturat hetimore, sidomos nga SPAK-u. Kështu ndodhi me Lefter Kokën, me Alqi Bllakon, me Vangjush Dakon dhe, me shumë mundësi, kështu pritet të ndodh edhe me Ardian Çelën.
Vetëm pak ditë pasi Çela dorëzoi detyrën tek këshilltari i Ballukut, Enea Karakaçi, në media publikohet kërkesa e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Parlamentit të Shqipërisë, ku kërkohej autorizimi për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj.
Diçitura: Këshilli Mbikqyrës i OSHEE largon nga detyra Ardian Çelën në 21 qershor 2023 dhe emëron Enea Karakaçi
Në dosjen me mbi 300 faqe, disa paragrafë janë fokusuar tek një tender me vlerë rreth 6.5 milionë euro të zhvilluar nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në vitin 2016. Ky tender është zhvilluar në “fshehtësi” dhe është fituar nga kudo-gjendurat kompani që fshihnin interesat e bosëve të plehrave, Klodian Zoto dhe Klodian (Mirel) Mërtiri.
Tenderi i “fshehtë” i OSHEE-së së Çelës
Në dosjen hetimore të SPAK-ut thuhet se “nga ekspertimi i kompjuterit të Klodian Zotos janë identifikuar komunikime me e-mail që lidhen me një procedurë për blerje matësash të energjisë elektrike”.
Gjatë hetimit është “administruar një shkresë në gjuhën angleze, datë 18 Tetor 2016, në zyrat e OSHEE-së, i hartuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ku është vendosur kryerja e vlerësimit të dokumentave të dorëzuar nga operatorët ekonomikë për tenderin me numër reference “ICB NO-PRG-G-ICB-3/1”.
Më tej, SPAK thotë se në datën 02 Shkurt 2017, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka shpallur fitues të procedurës bashkimin e tre operatorëve: “A&E Distribution”; “Integrated Technology Service” (të Klodian Zotos) dhe kompaninë kineze “Ningbo Sanxing Smart Electric Co”. Vlera e kontratës është 673.055.761 lekë ose rreth 6.5 milionë euro.
Diçitura: SPAK ka identifikuar bisedat paraprake të “Zoto & co” për tenderin e matësave
Në 27 Qershor 2016, sipas dokumentave, rezulton të jetë bërë publikimi i dokumentave standarte të tenderit me objekt “Blerje matësash elektrikë për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Shqipëri”, me numër projekti “FRB-PRG-G-ICB-3/1”.
Dokumentat e tenderit rezulton se janë tërhequr nga “Integrated Technology Service” (ITS) e Klodian Zotos dhe “F.M.O”, e cila fsheh gjithashtu interesat e Zoto-Mërtirit, siç konstatoi së fundmi SPAK, i cili e vendosi nën sekuestro edhe këtë shoqëri.
Siç u përmend më lart, ky tender, me vlerë rreth 6.5 milionë euro u fitua nga “ITS” e Zotos, në bashkëpunim me “A&E Distribution” dhe “Ningbo Sanxing Smart”. Duket se gjithçka është përgatitur si një “kostum” i majmë për Zoton dhe njerëzit e tij.
Dëshmia e italianit Pistrito
Francesko Pistrito është pyetur nga prokurorët e SPAK-ut lidhur me këtë procedurë tenderuese. Ai deklaron se është përfshirë në projekt si konsulent financiar. Ai mban mend se ka qenë një herë i pranishëm në një takim të zhvilluar nga përfaqësues të Bankës Botërore (financuesit e projektit të matësave inteligjentë të energjisë elektrike). Ky takim është bërë para zhvillimit të tenderit.
Po ashtu, ai kujton edhe një takim tjetër, me Drejtorin e Përgjithshëm të OSHEE-së. Ky i fundit, sipas Pistritos, nuk ishte i bindur teknikisht për projektin që përfaqësonte konsulenti italian (përfaqësonte Zoton etj). Ai projekt nuk u zbatua, pavarësisht se propozuesit kishin marrë viston e Bankës Veneto për lëshimin e kredisë, pasi vetë Pistrito kishte diskutuar këtë gjë me drejtuesin e bankës. Ai projekt që nuk u realizua parashikohej në vlerën 9 milionë euro.
Në atë takim nuk ishte bërë publik asnjë tender. Pistrito deklaron se ka qenë në atë mbledhje me kërkesë të drejtuesit të OSHEE-së, i cili kërkonte të ishin të pranishëm të gjithë konsulentët financiarë të “ITS”. Pistrito mendon se e ka dërguar në atë takim Klodian Zoto.
Diçitura: Deklarimet e konsulentit financiar, Francesko Pistrito për SPAK
Për këtë projekt, Franceso Pistrito deklaron se ka qenë në Kinë, për të takuar një person përgjegjës për të diskutuar për një investim të madh në Shqipëri. Kompania ishte shumë e rëndësishme në Kinë, quhej “Ningo Sanxing”, e cila ishte e pesta në atë vend për prodhimin e matësave elektrikë. Ata ishin në gjendje për ta bërë furnizimin.
Pistrito deklaron se ka qenë i shoqëruar në atë udhëtim nga Mirel Mërtiri dhe një inxhinjer i kompanisë së Klodian Zotos. Më vonë, ato ditë, në Kinë kishte një organizim qeveritar, në të cilin, Pistrito deklaron se rastësisht takoi ministrin Arben Ahmetaj, i cili gjendej për vizitë zyrtare.
Në momentin e takimit me Ahmetajn, financeri Pistrito deklaroi se ishin të pranishëm edhe Mirel Mërtiri dhe inxhinjeri i Zotos. Ai u deklaron prokurorëve të SPAK-ut se ka takuar edhe zyrtarë të tjerë qeveritarë që gjendeshin në atë delegacion, por nuk i njihte emrat e tyre.