top of page

Suficiti rekord i qeverisë po mbështet edhe më shumë forcimin e Lekut

Kursi i këmbimit të Euros ndaj Lekut po vazhdon të shfaqë një tendencë të theksuar rënëse.

Ditën e martë, kursi zbriti në nivelin e 100.83 lekëve, shumë afër nivelit më të ulët vjetor që ishte regjistruar javën e kaluar dhe gjithashtu pranë nivelit më të ulët historik, prej 100.49 lekësh, që ishte shënuar në korrik të vitit të kaluar.

Ekspertët vlerësojnë se faktori kryesor që po sjell një valë të re të forcimit të Lekut në kursin e këmbimit është rritja e flukseve valutore hyrëse, të lidhura veçanërisht me turizmin dhe eksportin e shërbimeve.

Megjithatë, edhe politika fiskale e qeverisë shqiptare duket se po ndikon pjesërisht në forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor.

Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, për muajin mars suficiti buxhetor u rrit ndjeshëm dhe arriti një rekord të ri historik për periudhën, në vlerën e 33.4 miliardë lekëve, në rritje me 8.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Shpenzimet për tremujorin e parë janë rritur më pak se të ardhurat, ku ndikimin kryesor e ka dhënë rënia e fortë e shpenzimeve kapitale.

Suficiti i lartë buxhetor vlerësohet se pati një ndikim të konsiderueshëm në ecurinë e ofertës monetare të lekut vitin e kaluar, duke ndikuar, mes të tjerash, edhe raportet e kursit të këmbimit.

Buxheti pati qëndruar në suficit deri në fund të 11-mujorit, ndërsa i gjithë deficiti buxhetor vjetor u shpenzua për dhjetorin. Megjithatë, deficiti buxhetor, në vlerën e 31.3 miliardë lekëve, pësoi rënie drastike me 60% krahasuar me një vit më parë.

Suficiti i lartë buxhetor në pjesën më të madhe të vitit ndikoi në rritje të dobët të aagregatit monetar M2, që përfaqëson vlerën e parasë jashtë bankave dhe të depozitave që përfshihen në përkufizimin e parasë së gjerë. Rritja e ofertës monetare në Lekë u përmirësua disi vetëm pas muajit nëntor.

Megjithatë, rritja e mëtejshme e suficitit buxhetor këtë vit duket se mund të ushtrojë ndikime shtesë në mbiçmimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor. Një efekt duket se ka filluar të vërehet qysh gjatë muajit mars, nëse marrim parasysh se mbiçmimi i Lekut filloi pak më herët krahasuar me vitin 2023.

Prurjet valutore pritet të rriten gradualisht në muajt e ardhshëm, me nisjen e mirëfilltë të sezonit turistik.

Në mënyrë të paevitueshme, kjo do të rrisë edhe presionet më të forta rënëse mbi kursin e këmbimit valutor. Nëse edhe politika fiskale do të vazhdojë të ketë tipare të ngjashme, trysnia mbi kursin e Euros do të jetë edhe më e fortë.

Megjithatë, në mesin e këtij viti do të hyjë në fuqi një rritje e ndjeshme e pagave në sektorin publik, çka mund ta frenojë disi natyrën shtrënguese të politikës fiskale.

bottom of page