Gazetari investigativ Artan hoxha ka zbuluar detaje të reja nga sulmi i kryer mbrëmjen e djeshme ndaj Top Channel.
Duke folur në emisionin “Zona Zero”, Hoxha deklaroi se kanë qenë dy autorë që kanë qëlluar njëkohësisht. Sipas tij, mesazhi që donin të dërgonin autorët ishte krijimi i paniku.
“E kam ndjekur ngjarjen që dje, shpresoja që të kishte mundësi ti jepje ndihma e parë. Por kur u afrova pranë godinës, e pashë që ishte e pamundur. Në gjithë skenën, vrasja e tij më del jashtë çdo skenari të mundshëm. Tani para se të vija në studio e pashë sërish ngjarjen. Kanë qëlluar dy automatikë njëherësh. Më duket një duf shumë i madh për të krijuar një situatë e tillë. Hapën zjarr që të krijojnë sa më shumë terror dhe panik. Këtë mesazh donin të dërgonin”, tha Hoxha.
Ai deklaroi se roja Pal Koli ka humbur jetën për shkak të një plumbi, që besohet se është devijuar nga kangjellat rrethuese të godinës. Ai shtoi se autorët nuk kanë pasur një problem me një person konkret, po kanë dashur t’i japin një mesazh të fortë medias më të madhe në vend.