Me kërkesë të prokurorisë së Tiranës, gjykata e kryeqytetit ka vendosur sekuestrimin e një apartamenti dhe një garazhi, pasi besohet se Alda Klosi është bashkëpronare.
Burime pranë prokurorisë, thanë se apartamenti dhe garazhi i sekuestruar ndodhet në Tiranë në rrygën “Frederik Shiroka”. Këto dy pasuri janë në emër të ish-burrit të Alda Klosit, shtetasit Altin Klosi.
Gjatë hetimeve të kryera për pasurinë, prokuroria ka konstatuar se kohët e fundit, ky apartament dhe garazhi, po planifikohet të kalonin në një pronësi tjetër.
“…përmes dokumentave fiktive, kohët e fundit po synohej tjetërsimi i këtij, apartamenti… ndaj për ta parandaluar një gjë të tillë, është ndërhyrë me urgjencë me qëllimin bllokimin e çdo veprimi pranë Agjensisë Shtetërore të Kadastrës…”-tha një burim.
Ndërkohë hetimet vijojnë edhe për pasuritë e tjera që Alda Klosi zotëron së bashku me ish-burrin e saj, Altin Klosi.
Prej datës 3 shkurt 2023, ish-drejtoresha e Kabinetit të Ministrit të Financave dhe Rindërtimit, është arrestuar nga prokuroria për tre akuza, si ajo e “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, “Fshehjes së pasurisë” dhe “Dëshmisë së rremë”.
Sipas gazetarit Elton Qyno, vendimi për bllokimin e pasurisë vjen në një kohë, kur gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Alda Klosit.
Kjo e fundit përmes avokatit të saj, Ilirjan Muho, e ka apeluar vendimin me shpresën e zbutjes së masës së sigurisë në gjykatën e Apelit Tiranë.
Arrestimi i Klosit, erdhi pas zbulimit të një shume prej 550 mijë euro në apartamentin e Rozeta Dobit, e cila ishte akuzuar për vjedhje nga ana e Klosit, ku kishte punuar si pastruese.