top of page

Të ardhurat nga rrjetet sociale, flet eksperti Said Duleviç


Nga 1 janari 2024 të gjithë personat që realizojnë fitime nëpërmjet rrjeteve sociale, do të kenë detyrimin të deklarojnë të ardhurat e tyre nga këto rrjete.Udhëzimi i ri prek në masë të madhe individët që operojnë në platforma si Google, TikTok, Instagram, Facebook, Youtube apo edhe në platforma të blerjes së mallrave, si Amazon dhe Alibaba. Eksperti Said Duleviç në një intervistë jep opinionin e tij mbi këtë masë.

“Duke qenë se rrjetet sociale janë bërë trend dhe janë bërë të nevojshme për bizneset, për individët e shumë persona, janë duke i përdorur rrjetet sociale për të bërë para, por jo vetëm rrjetet sociale, por edhe platforma që merren me pjesën e punëve online, siç është Fiverr, upvvork, apo bizneset dhe individët që lëshojnë shtëpitë e tyre, apartamentet me qira, me booking. Ky lloj taksimi mendoj është pak i nxituar, por i nevojshëm sepse duhet të kujtojmë edhe krahasimin me gjithë shtetet e tjera, të cilat funksionojnë sic duhet në sistemin e taksimit. Këtu normalisht norma e taksimit besoj do varet nga faktorët se sa lekë gjenerohen, thuhet se do jetë edhe një fashë diku tek 400 dollarë në mos gaboj. 400 dollarë e sipër ti do taksohesh, dhe sa më shumë para të bësh sa më shumë do jetë % e taksimit, deri në 23% nëse nuk gaboj me shifrat”- tha Duleviç.

Sa e lehtë është të identifikohen persona që kryejnë aktivitet të tillë?

“Normalisht pyetja vjen si do merren këto të ardhura, sesi do ta kuptojmë le të themi shteti për të verifikuar nëse do merret ky taksim apo jo. Normalisht nëse është një transaksion bankar, shumë e thjeshtë sepse shikohet burimi nga ka ardhur dhe banka do bëjë rolin pastaj të vjeljes së tatimit të fitimit dhe mbahet % në bazë të përllogaritjes që thamë më sipër.”

Janë kryesisht të rinjtë që preken nga kjo masë taksimi.

“Këtu preken të gjithë studentët të cilët kanë një rrjet social dhe bëjnë video dhe fitojnë nga tik toku, nga Youtube apo gjithë platformat online. Preken ata që kanë shtëpitë, apartamentet me qira që punojnë në platformat e lënies me qira të këtyre banesave, gjithashtu dhe ata që punojnë online me pjesën e punëve nga kompjuteri nga shtëpia.”

Taksimi mund të jetë një stepje për të rinjtë që merren me këtë aktivitet sipas ekspertit.

“Normalisht mendoj që mund të ketë një pasojë të vogël tek të rinjtë, sepse shumica që fitojnë dhe gjenerojnë të ardhura në këtë lloj forme duhet të kujtojnë që vetë platformat përkatëse, unë po marr shembull Fiverr-in , që është një platformë që të lejon të punosh online, 15% i mban vetë si platformë. Kësaj 15% do i shtohet dhe një 15% nga shteti mundësisht, atëherë ky person që ka gjeneruar ca para, 30% do ti ikin taksa. Dhe normalisht e shikon pak si të vështirë që të krijojë një bazë mujore të mirë lekësh sepse një pjesë shumë e mirë shkon për taksa..

Në botë janë disa vende që kanë nisur mbledhjen e kësaj lloj takse.

“Vendet e tjera e praktikojnë le të themi Evropa, Amerika, madje taksat që janë shumë herë më të larta se në Shqipëri, por kuptohet që edhe fitimet janë të larta, sepse të gjithë platformat nëpër botë, i japin më shumë para, atyre që i përdorin këto platforma. Marr shembull tik tok, që nëpër botë të jep lekë edhe për shikimet. Në Shqipëri jo nuk të jep. Facebook, Instagram të japin para edhe nga shikimet në Amerikë. Nëpër botë jo. Youtube në Shqipëri nuk të jep para, nëpër botë po dhe fitimet janë goxha të larta dhe normalisht një student që thjesht bën video për qejfin e tij dhe mbrapsht fiton 500 dollarë thjeshtë se bën video ai është shumë dakord që ti merret një % tatim. Problemi qëndron tek ne sepse nuk fitojmë asgjë nga shikimet dhe nëse do gjejmë një mënyrë të punojmë online dhe na gjendet një mënyrë për të marrë %.”

Eksperti thotë se më parë duhej bërë një studim për kategorinë që prek taksimi I rrjeteve sociale.

“Mendoj që ishte pak i nxituar, sepse duhet të shikohen kush janë aktorët që preken, a është një i nevojshëm apo jo. Duhet para se kush kategori fiton nga këto punë, nëse janë të rinjtë mendoj se të rinjtë duhen stimuluar në këtë vend dhe jo t ua bëjmë më të vështirë që ata të ikin. “

Gjithësesi vjelja e kësaj takse do të ketë vështirësitë e veta pasi sipas ekspertëve, ka edhe hapsira që mund të shmanget nga personat që ushtrojnë këtë aktivitet pasi jo të gjithë operojnë me transaksione bankare.

“Normalisht unë mendoj që ka dhe shmangie. Le të marrim shembullin e thjeshtë fare, nëse një influencer në Shqipëri bën një reklamë për x biznes normalisht mund ta shmangë bankën komplet, mund të marrë diçka me klering, pra kompania i jep produktin falas dhe personi apo influenceri e reklamon atë në këmbim të produktit që mori. Tjetër mund të merren para kesh në dorë që e shmang totalisht transaksionin bankar, por nëse janë biznese të mëdha normalisht duan që personi që i ofron shërbimin ti ofrojë dhe një faturë të fiskalizuar. Në këtë rast ne shumë kollaj ai që do tatohet do ketë faturë banke, por në raste të tjera shmangia do jetë. Dhe kjo mendoj që do i nxisë më shumë për ti shmangur dhe do përdoret më pak banka, dhe nuk sjell një dicka pozitive në horizonte sepse do shtohet informaliteti.”

Ne një kohë qe po flitet për nxitje dhe lehtësi të sektorit të IT, një taksim I tillë shihet me skepticizëm nga analistët.

“Para disa muajsh në mos gaboj u bë një nisëm pra edhe nëpër media doli gjithandej që do ishin këta nomadët digjital të cilët gjetën vendin ideal në botë ku mund të vijnë të jetojnë në Shqipëri dhe të punojnë nga Shqipëria online dhe mund ti tërheqin paratë në Shqipëri sepse kishte 0 taksë për këtë dhe patjetër di që shteti i Dubait, e ka këtë dhe kjo është arsyeja që shumë persona që punojnë online të shkojnë në Dubai sepse pikërisht janë 0 taksa në momentin që ti bën tërheqjet e parave. Dhe patjetër kjo nxiti shumë nomadë shumë persona nëpër botë që punojnë online të vijnë, madje kanë marrë dhe shpi me qira, goxha të shtrenjta dhe rriti dhe ekonominë e vendit dhe gjitha këto ishin pozitive por në momentin që ti reklamon diçka të tillë dhe pas disa muajsh i thua që po bëni shumë para ju, po u mbaj një taksim, dhe kjo bie totalisht në kundërshtim sepse nomadët erdhën sepse taksat ishin 0 dhe tashmë kam përshtypjen që do marrin valixhet dhe do ikin diku tjetër sepse taksa kanë atje ku ishin ata dhe nuk kanë pse vijnë në një vend që është përsëri me taksa. Kështu që mendoj që duhej menduar më mirë pjesa e taksimit por tashmë e shohim që do jetë diçka e bërë nga janari i 2024 dhe nuk kemi c’bëjmë thjesht presim si do ndikojë por unë nuk e shoh si diçka shumë pozitive të them të drejtën.”

Tatimi 15% mbi këto të ardhura synohet të mbahet në burim, por edhe nëse i shpëtojnë sitës së parë të Tatimeve, këta individë janë të detyruar të bëjnë pagesën e detyrimit në deklaratën vjetore të të ardhurave.

bottom of page