Bashkitë nuk ia dolën dot të jenë pranë qytetarëve gjatë pandemisë COVID-19 si fatkeqësi natyrore. Konstatimi është i Kontrollit të Lartë të Shtetit pasi auditoi 10 bashkitë kryesore të vendit për periudhën e pandemisë.
Në raportin “Të ardhurat nga taksat dhe tarifat e bashkive për të siguruar shërbime cilësore për qytetarët gjatë pandemisë” i cili vlerëson angazhimin e bashkive në përballjen me COVID-19 rezulton se këto institucione nuk morën vendime në koherencë me nivelin e pandemisë në territorin e tyre, por ndoqën vetëm urdhrat dhe vendimet e qeverisë.
‘’Bashkitë nuk janë të përgatitura siç duhet, si nga ana e burimeve financiare dhe ana e burimeve njerëzore, a ka profesionistë të duhur dhe mjetet e nevojshme për t’u përgjigjur situatave? Ne kemi përmirësim por akoma nuk jemi shumë të kënaqur. Pasi nuk kemi në të gjitha bashkitë plane të mbrojtjes civile ose plane të menaxhimit të riskut”, u shpreh Adelina Farrici, nga Shoqata për Autonomi Vendore.
Rreziku nga krizat shëndetësore mbetet një shtesë e pashtjelluar në Planin Kombëtar të Emergjencave Civile. KLSH nënvizon se bashkitë nuk kanë strukturë për analizim risku në rast fatkeqësish.
“Duhet të kemi struktura më të specializuara, duhen krijuar dhe përcaktuar saktë dhe detyrat e gjithsecilit në raste emergjencash. Mendoj që bashkitë e kanë në fokus por akoma janë struktura pak të dobëta dhe kanë nevojë për profesionistë fushe”.
Bashkitë sipas KLSH nuk përshtatën siç duhet buxhetin në shërbim të nevojave të komunitetit. Nga auditimi rezulton se raporti i shpenzimeve të kryera në 2020 për 10 bashki krahasuar me shpenzimet që kanë kryer për efekt të pandemisë, është shumë i ulët: vetëm 1.3% e buxhetit total. Për Farricin një argument për këtë është kufizimi i shërbimeve në karantinë.
“Realisht gama e ushtrimit të funksioneve të një bashkie është shumë e madhe, ofrimi I investimeve kapitale, shërbimeve të ndryshme, pagat e punonjësve, shpenzime operative dhe është normale që kjo peshë e pandemisë në funksion të peshës përgjithshme të jetë më e vogël.”
COVID-19 prej kohësh nuk është më emergjencë globale, por Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se bashkitë nuk kanë hartuar plane të rimëkëmbjes dhe fonde të posaçme sa i përket pasojave të pandemisë dhe se k proces vijon të mbetet një koncept abstrakt për emergjencat civile të bashkive, sipas KLSH.
COVID-19 prej kohësh nuk është më emergjencë globale, por Kontrolli i Lartë i Shtetit vëren se bashkitë nuk kanë hartuar plane të rimëkëmbjes dhe fonde të posaçme sa i përket pasojave të pandemisë dhe se k proces vijon të mbetet një koncept abstrakt për emergjencat civile të bashkive, sipas KLSH.