top of page

Të plagosurat në masakrën në Paskuqan nuk e dinë se Dan Hutra…


Elena dhe Kujtime Hysa, nënë e bijë të cilat u plagosën nga Dan Hutra në masakrën e Paskuqanit vijojnë të jenë të shtruara në spitalin e Traumës, por nuk dinë asgjë që Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku janë vrarë nga e njëjta dorë.

Gazetarja Sara Demushaj raportoi për EuroNews se të dyja ndodhen ende në gjendje të rënduar, gjë që ka bërë që të afërmit të mos u tregojnë për vdekjen e dy familjareve të tyre.


“Nënë e bijë Elena dhe Kujtime Hysa kanë qenë brenda ambienteve të banesës. Ndërsa jashtë ambienteve kanë qenë Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, të cilat kanë qenë duke larë automjetin. Ajo që vlen të theksohet është se Helena së bashku me nënën vazhdojnë të jenë të shtruara në spitalin e Traumës. Të dyja nënë e bijë ende nuk kanë dijeni për vdekjen e Mevlutes dhe Hasime Dafkut, kjo e fundit ka qenë e fejuara e vëllait të Elenës. Familjarët nuk ia kanë thënë një gjë të tillë, pasi gjendja e tyre vazhdon të jetë e rënduar,”- tha gazetarja.

Si ndodhi masakra më 1 mars?

Dan Hutra plagosi fillimisht 40-vjeçaren Marjana Gurakuqi në zonën e Astirit, pasi ajo nuk pranoi t’i jepte një shumë parash që ai i kërkoi. Më pas, me makinën që kishte marrë me qira, shkoi në Paskuqan, aty ku jetonte familja e ish-partneres së tij Elena Hysa. Hapi zjarr duke vrarë motrën dhe kunatën e saj, Mevlute Hysa dhe Hasime Dafku, e cila është shtatzënë, si dhe plagosi vetë Elenën e nënën e saj, Kujtime. Më pas shkoi në Kamëz, në shtëpinë e Etleva Kurtit, duke e qëlluar edhe këtë të fundit për vdekje.


Arratia e Dan Hutrës mori fund pas 7 orëve kërkime. Ai u arrestua nga policia në zonën e Sharrës ku kishte shkuar për të ekzekutuar një person të katërt, Rrahman Sela, por që nuk e realizoi dot. 40-vjeçari është dënuar më parë për përdhunim, vrasje e dhunë në familje. Në gjyq, ai nuk ka shprehur asnjë lloj pendese për krimet e kryera.

bottom of page