Dy drejtorët e Radio Televizionit Shqiptar, Vladimir Grori dhe Enkelejd Lamaj, për të cilët CNA raportoi pak ditë më parë se kanë dhënë dorëheqjen nga detyra, janë tërhequr nga ky veprim duke u rikthyer përkohësisht në detyrat e tyre.
CNA mëson se dy drejtorët e Alfred Pezës janë tërhequr nga lënia e detyrës, pasi Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një hetim dhe kontroll të thelluar për fondet e Festivalit të 62-të të RTSH-së. KLSH po kryen verifikime dhe kontrolle në këtë institucion, pasi ka dyshime për abuzime me fondet.
CNA prej disa javësh po denoncon skandalin me fondet në RTSH për këtë festival dhe në fakt ka rezultuar se paratë janë bërë "rrush e kumbulla". Shpenzimet për Festivalin e 62-të në RTSH shkojnë 600 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat nga biletat kanë qenë vetëm 28 milionë lekë. Pra, RTSH nuk ka mundur të shesë as 23% të biletave.
Nëse bëjmë një krahasim me një vit më parë për fondet e festivalit janë shtuar 134 milionë lekë më shumë për Festivalin e 62-të të Këngës në RTSH.
Përveç këtyre abuzimeve për të cilat pritet të nisë edhe një hetim nga autoritetet, Alfred Peza, drejtori i RTSH-së, vijon me largimin masiv të punonjësve nga puna.
Pasi drejtimin e televizionit shtetëror e mori Alfred Peza, një sërë drejtorësh janë dorëhequr, ndërsa vetë gazetari që drejton RTSH-në ka kryer shkarkime masive. Në skandalet e RTSH-së është i përfshirë edhe kreu i Këshillit Drejtues, Leka Bungo.
Për këto shkarkime ish-punonjësit e RTSH-së kanë bërë kallëzim në SPAK. CNA ka publikuar disa ditë më parë padinë e firmosur nga mbi 20 punonjës kundrejt Pezës.
Sipas tyre, shkarkimet janë kryer pa asnjë bazë ligjore dhe në shkelje të Kodit të Punës. Në padi theksohet se të tjerë kolegë janë detyruar të japin dorëheqjen nga shantazhet dhe presionet. Ndërkohë Peza nuk ka hezituar që të largojë nga puna edhe nënën e një fëmije të spektrit autik./CNA