top of page

Tërhoqi zvarrë qenin me karrocë, policia e Kuçovës identifikon autorin


Një skenë e rëndë u publikua sot në rrjetet sociale, ku shihej një burrë teksa tërhiqte zvarrë një qen me karrocën e tërhequr nga kali.


Në lidhje me ktë ka reaguar policia e Kuçovës, e cila shkruan se është identifikuar dhe proceduar penalisht shtetasi E.A., 63 vjeç, banues në Kuçovë për veprën penale “Keqtrajtim i kafshëve”.


Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, të filmuar në qytetin e Kuçovës, në të cilën shfaqet një shtetas i cili ka lidhur pas karrocës së tij, një kafshë shtëpiake (qen) dhe e tërheq, ju sqarojmë se:


Strukturat e Komisariatit të Policisë Kuçovë, bazuar në pamjet filmike, si dhe nga verifikimet e kryera, identifikuan shtetasin i cili drejtonte karrocën dhe tërhiqte kafshën shtëpiake (qen), pas saj.


Në përfundim të hetimeve specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe filluan procedimin penal për veprën penale


“Keqtrajtim i kafshëve” në ngarkim të shtetasit E.A., 63 vjeç, banues në Kuçovë.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat fton të gjithë qytetarët që të denoncojnë çdo rast të keqtrajtimit të kafshëve, duke u siguruar anonimatin dhe reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

bottom of page