top of page

Tabaku: Buxheti 2024, paketa e taksave godet shtresën e mesme


Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me projektbuxhetin e vitit 2024, ndërsa e cilësoi paketën e taksave si goditje për shtresën e mesme.

Në një postim në rrjetin social, Tabaku shkruan se Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit, të gjithë familjet shqiptare do të paguajnë më shumë për kostot e tyre të kredisë, ndërsa shton se “qeveria sjell në parlament një paketë taksash që së pari është goditje për shtresën e mesme pasi rrit taksat me 70 mln euro dhe së dyti nuk sjell asnjë gjë të re”.


“Ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka rritur normën e interesit, të gjithë familjet shqiptare do të paguajnë më shumë për kostot e tyre të kredisë.


Shtëpia më shtrenjtë, shkolla më shtrenjtë dhe çdo nevojë tjetër është më shtrenjtë.

Kush është përgjigja e qeverisë?

Sjell në parlament një paketë taksash që së pari është goditje për shtresën e mesme pasi rrit taksat me 70 mln euro dhe së dyti nuk sjell asnjë gjë të re.


Nëse në buxhetin e shtetit mblidheshin këtu e dhjetë vite më parë 25.4% të PBB po kaq mblidhen dhe sot.

Por, të mos harrojmë që taksimi socialist në dhjetë vite është rritur me pothuajse 3 miliardë euro. Ku kanë shkuar të ardhurat që duhet të ishin në buxhetin e shtetit?

Së pari, informaliteti shumë i lartë sa 30% e PBB. Së dyti, korrupsioni dhe paaftësia e administratës për të administruar të ardhruat dhe përjashtimet fiskale.

Qytetarët meritojnë një tatim të drejtë, meritojnë një sistem të drejtë.”, u shpreh Tabaku.

bottom of page