top of page

Tafani nxjerr kodet e “Sky” të Laert Haxhiut dhe miqve, çfarë pritet

Kodet numerike të telefonit “Sky Ecc”, pritet të kthehen në gropën më të madhe juridike ndaj Laert Haxhiut dhe anëtarëve të grupit të tij të përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale.

Së fundmi, i arrestuari Artan Tafani, që tashmë është kthyer në bashkëpunëtorin e prokurorisë, i ka dhënë prokurorit Kreshnik Ajazi 5 kode “Sky Ecc” që përdorte Laert Haxhiu dhe disa persona të tjerë, me të cilët kryenin vrasjet në Lushnjë dhe jo vetëm.

Sipas dosjes hetimore kodet e “Sky Ecc” Tafani i ka pasur të shënuara në një letër dhe pikërisht këtë letër, ja ka dorëzuar grupit të hetimit.

Tafani, ka rrëfyer dhe kodin e tij që përdorte në “Sky”, por ka shtuar në dëshmi se këtë lloj aparati ai e ka shitur dhe lekët që kishte fituar i kishte përdorur për të blerë drogë.

Me dëshminë e të penduarit Tafani dhe dorëzimi nga ana e tij e kodeve në “Sky” të përdorura nga disa prej anëtarëve të grupit kriminal të drejtuar nga Laert Haxhiu, pritet të sjellë zhvillime të reja kjo dosje.

Gjatë kësaj jave, prokuroria e Elbasanit do shpallë moskompetencën dhe çështja penale së bashku me të penduarin Artan Tafani, do kalojë në SPAK, me qëllim vijim e hetimeve.

Do jenë prokurorët e SPAK, ata që më pas do verifikojnë bisedat e zhvilluara në 5 kodet e “Sky” që ka dhënë Artan Tafani.

Ky i fundit është kthyer në bashkëpunëtor i prokurorisë, duke treguar se së bashku me Lulzim Arapin, Laert Haxhiun, Mariglen Topuzin, Bledar Berberin dhe persona të tjerë kanë kryer 6 vrasje, në Shqipëri, Greqi dhe disa tentative vrasje.

Përmes dëshmisë së Tafanit, prokuroria e Elbasanit lëshoi 16 urdhëra-ndalimi, për anëtarët e bandës së Laert Haxhiut, 13 nga të cilët u ekzekutuan dhe 3 persona të tjerë u shpallën në kërkim ndërkombëtar.

Laert Haxhiu, aktualisht ndodhet i izoluar në burgun e Koridhalosit në Greqi, ku është përfshirë në një proces gjyqësor ekstradimi me drejtësinë Shqiptare.

Së bashku me të në burg në Greqi është dhe Firdeus Berberi nga Pogradeci.

Ndërsa në kërkim vijojnë të jenë Lorenc Lala, i cili ndodhet në Angli, Kristi Bixheku dhe Ederin Çaushi, i cili aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


bottom of page