top of page

Takimi sekret Basha-Balla, bashkia heq kamerat nga pallati


Pas publikimit të pamjeve të takimit Basha-Balla më 3 dhjetor në banesën e një prej bashkëpunëtoreve të Lulzim Bashës, Bashkia e Tiranës merr masa të menjëhershme për heqjen e kamarave.


Specialistë të Bashkisë së Tiranës kanë shkuar në pallatin ku u mbajt takimi dhe kanë kërkuar nga administratori i pallatit heqjen e kamerave. Por teksa kërkohet heqja e kamerave që filmuan takimin sekret, specialistët e bashkisë japin një tjetër fakt se 2 protagonistët në video nuk mund të përdornin “ashensorin me çip” pa ndihmën e një personi të tretë, i cili është kujdesur që ta mbajë ashensorin në katin zero, teksa mbërrinin të ftuarit specialë.


Pasi Taulant Balla konfirmoi autenticitetin e videos ku shfaqej duke u futur në të njëjtën hyrje për të zhvilluar takim me Lulzim Bashën, në banesën e një bashkëpunëtoreje të tijën, ka nisur edhe marrja e masave për asgjësimin e kamerave të sigurisë, apo pastrimin e atij pallati nga provat.


Lulzim Basha e cilësoi montazh sapo videoja u publikua, duke mohuar vërtetësinë e saj, por Balla dha një tjetër version, duke konfirmuar vërtetësinë, por sipas tij çdo gjë ishte rastësore dhe se nuk është takuar brenda banesës me Lulzim Bashën.

Është dashur ndërhyrja e Bashkisë së Tiranës për të zhdukur provat dhe kamerat e sigurisë.


Në pallatin ku u zhvillua takimi kanë shkuar për inspektim përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, të cilët me pretekstin e kontrollit të mirëmbajtjes së shkallës, kanë marrë vetëm një masë konkrete, heqjen e kamerave që filmuan takimin mes Lulzim Bashës dhe Taulant Ballës më 3 dhjetor të vitit 2022, e për justifikim shkresor kanë shtuar dhe marrjen e masave për vendosjen e një fikëse zjarri.

Por teksa specialistët e Bashkisë së Tiranës urdhërojnë heqjen e kamerave të sigurisë, konfirmojnë edhe një detaj, jo pak të rëndësishëm, që fakton se takimi mes Ballës dhe Bashës nuk ka qenë rastësor, por personi që ka organizuar takimin është kujdesur për futjen e tyre me lehtësi në banesë.


Specialistët e Bashkisë së Tiranës shkruajnë se ashensorët e këtij pallati janë të pajisur me çip, çka nënkupton që veç banorëve të pallatit, askush tjetër nuk mund ta përdorë pa pasjen e këtij çipi. E në rastin konkret, si Lulzim Basha ashtu edhe Taulant Balla janë shoqëruar nga një person që kur ata mbërrijnë te ashensori e deri në banesën e takimit. Me këtë detaj të zbuluar nga Bashkia e Tiranës konfirmohet se personi në fjalë ka ditur me përpikmëri kohën e mbërritjes apo është telefonuar paraprakisht, dhe siç duket nga pamjet në të dyja rastet, si Basha ashtu edhe Balla, e gjejnë ashensorin me derë të hapur në katin zero dhe më pas ngjiten për në banesën e takimit.


E sipas asaj që konfirmojnë specialistët e bashkisë në këtë shkresë, ashensori është me çip dhe pronari i banesës ku u mbajt takimi është kujdesur që ata të ngjiten lehtësisht nga kati zero në banesën ku u mbajt takimi sekret.

bottom of page