top of page

Tenderat, rreth 60% e ankesave ishin për vlerësimin e ofertave nga institucionet

Gjatë vitit të shkuar, ankesat kryesore të bizneseve pranë Komisionit të Prokurimit Publik janë bërë pas vlerësimit të ofertave nga autoritetet kontraktore.

Raporti vjetor i KPP tregon se nga 866 (tetëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) ankesa të paraqitura në total, 351 prej tyre ose rreth 40.5%, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 514 ankesa. ose rreth 59.4% e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.

Ajo që në fakt tregon se fusha e prokurimeve mbetet ende problematike është fakti se pjesa më e madhe e këtyre ankesave është pranuar nga ana e institucionit.

“Nga të dhënat e prezantuara, numri më i lartë i ankesave ka të bëjë me kategorinë e mallrave, ku u regjistruan 558 ankesa, vijon me kategorinë shërbime me një numër prej 231 ankesash, punë publike 74 ankesa dhe leje minerare 3 ankesa.

Në këto kontrata, Komisioni ka pranuar plotësisht 54.8% të ankesave, ka refuzuar 27.6% të ankesave, ka mbyllur çështjen ose pranuar nga ana e autoritetit kontraktor në 11% të rasteve, ndërsa ka pasur tërheqje nga ankesat në 5.2% të rasteve dhe nuk ka marrë në shqyrtim 1.4% të ankesave. Ky informacion mund të shërbejë si bazë për të identifikuar fushat problematike dhe për të ndërmarrë masa përmirësuese në proceset e prokurimit publik në të ardhmen” vlerëson KPP.

Sipas raportit KPP nënvizon se ka shqyrtuar 847 ankesa, nga të cilat për 218 ankesa i ka kërkuar autoritetit kontraktor të bëjë modifikimet e specifikuara në vendim.

Gjatë vitit 2023, pas tejkalimit të afatit ligjor, KPP iu ka dërguar 78 kërkesa drejtuar autoriteteve kontraktore për zbatim – vendimi, në krahasim me 43 kërkesat në vitin 2022. Shpejtësia mesatare e zbatimit të vendimit nga autoriteti kontraktor është 8.5 ditë nga data e dërgimit të kërkesës për zbatim vendimi.

Të dhënat tregojnë se procedurat e ankimuara ku dominojnë ato për procedura unike, japin një vlerë 20 miliardë lekë nëse llogaritet totali i fondit limit.

Kjo përbën 15.21% të buxhetit të prokuruar në rang kombëtar. Nga ana tjetër, lidhur me vendimmarrjet KPP ka llogaritur se i ka kursyer shtetit 342 milionë lekë pa TVSH.

Nga analiza e përgjithshme rezulton, se numri më i lartë i ankesave është paraqitur për procedurat e prokurimit në intervalet e fondeve limite, midis vlerave 1- 5 milionë lekë, e cila zë 37.4 % të totalit të ankimeve të paraqitura pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ndërkohë që procedurat me fond limit mbi 100 milionë lekë, zënë rreth 6.64 % të numrit të ankesave.

bottom of page