Hetimi i aferës së sterilizmit, i cili ka çuar në pranga 2 persona dhe 6 të tjerë hetim në liri, pritet të zgjerohet edhe më shumë.
Vendimi i siguruar nga ëeblajm nxjerr në pah, një situatë sa të pabesueshme aq edhe të dënueshme penalisht. Kontrata origjinale 10-vjeçare e firmosur mes shtetit dhe biznesmenit Ilir Rrapaj të arrestuar për mashtrim ka humbur dhe nuk gjendet.
SPAK thotë se e ka kërkuar gjithandej, por ajo s’gjendet as në arkivën e ministrisë dhe ka humbur!
SPAK ka sot në dorë vetëm një kopje të njehsuar me origjinalin, por jo kopjen origjinale me firmën e ministrit të asaj kohe dhe të biznesmenit të arrestuar.
Biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj ndodhen pas hekurave, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim në rastin e koncesionit të sterilizimit. Hetimet vijojnë për zyrtarë dhe persona të tjerë të përfshirë dhe në ditët në vijim mund të ketë të tjerë urdhër-arreste.