Tjetër shtrenjtim i kredive në euro, BQE paralajmëron rritjen e normës
- Infrared Infrared
- Apr 30, 2023
- 2 min read

Banka Qendrore Europiane pritet të rrisë sërish normën bazë të interesit të enjten, teksa çmimet po zbuten më ngadalë nga sa pritej dhe inflacioni në Eurozonë vijon të qëndrojë i lartë. Ekonomia e vendeve të Bashkimit Europian po kalon një moment të vështirë, ku nga njëra anë prodhimi është në stanjacion, ndërsa nga ana tjetër kostoja e jetesës është shtrenjtuar.
Në tre muajt e parë të këtij viti, ekonomia e Eurozonës u rrit me vetëm 0.1 për qind për shkak të ecurisë së dobët të konsumit në shumë nga vendet e bllokut, një shenjë kjo se inflacioni i lartë dhe rënia e të ardhurave reale po shtrëngojnë buxhetet e familjeve.
Ky kombinim me rritje të ulët dhe inflacion të lartë e ka vendosur BQE në një pozicion të vështirë, e cila tani nuk ka zgjidhje tjetër përveçse të shkaktojë më shumë dhimbje financiare tek konsumatorët duke rritur më tej normën. FMN gjithashtu i bëri thirje Bankës Qendrore Europiane që të vijojë shtrëngimin e politikës monetare, pasi kjo është rruga e vetme për të përmbajtur inflacionin.
Një pjesë e analistëve presin që anëtarët e bordit të BQE të vendosin për një rritje me 0.5 pikë për qindje të normës bazë të interesit, por të tjerë thonë se rritja mund të jetë më e vogël, vetëm 0.25 për qind për shkak të ecurisë së dobët të aktivitetit ekonomik.
Lëvizjet e politikës monetare nga Banka Qendrore Europiane kanë një ndikim të drejtëpërdrejtë në ekonominë shqiptare. Normalisht rritja e normës bazë të euros ndikon drejtëpërdrejtë interesat e kredive që qytetarët shqiptarë kanë në këtë monedhe.
Nga ana tjetër shtrëngimi i politikës monetare në Eurozonë paralajmëron të njëjtën gjë edhe në Shqipëri. Kursi i politikës monetare në Bankën e Shqipërisë ndjek thuajse më përpikmëri atë të Bankës Qendrore Europiane.
Rritja e normës bazë për euron mund të shoqërohet me të njëjtën masë edhe nga Banka e Shqipërisë, çka do të shtojë edhe më tej presionin për rritjen e normave të interesit të kredive si në euro ashtu dhe në lekë.