top of page

Tjetër skandal/ Zyrtari i AKUM-it punësoi djalin te landfilli i Tiranës


Një tjetër rast skandaloz del në dritë për aferën e inceneratorëve, i ngjashëm me atë të ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, i cili ndodhet në qeli.

Arben Kaçorri, me detyrë drejtor i Drejtorisë të Monitorimit dhe Mbikëqyrjes në AKUM, punësoi djalin e tij te landfilli i Tiranës, ku duhet të ndërtohej incenerator, që në fakt nuk ekziston.

Kaçorri ka qenë në këtë detyrë që në kohën kur AKUM (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve), drejtohej nga Alqi Bllako, i cili më pas u zgjodh deputeti i PS-së në Tiranë.

Përveç detyrës si drejtor në AKUM, Arben Kaçorri mbante dhe detyrën si Kryetar i NJZP-së (Njësia e Zbatimit të Projektit) për ndërtimin e inceneratorit të Fierit (që nuk ka përfunduar dhe kërkon ende 3 milionë euro), gjithashtu ai ka qenë anëtar i NJZP-së për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës.

Rasti që po denoncojmë sot është i ngjashëm me atë të Alqi Bllakos që punësoi babain me 10 mijë euro në muaj, por sipas këtij “email”-i që CNA ka siguruar, zyrtari që duhet të ishte përgjegjës për monitorimin dhe mbikqyrjen ka punësuar të birin e tij. Ndoshta i duhej djali ta mbikqyrte nga brenda?!

Arben Kaçorri ka qenë kryetari i Njësisë së Zbatimit të Projektit për inceneratorin e Fierit. Aferë e hetuar, por mesa duket shumë detaje kanë shpëtuar ose janë shmangur.

Kur Kaçorri duhet të drejtonte NJZP-në dhe monitoronte e mbikëqyrte punimet e inceneratorit të Fierit dhe të Tiranës si anëtar, në vitin 2020, ai ka punësuar djalin e tij Martin Kaçorri te landfilli i Tiranës me pagë 50 mijë lekë në muaj (shumë kjo që jepet si sugjerim).



Gjendja civile e Arben Kaçorrit

Sipas këtij “email”-i të dërguar nga njëri prej drejtuesve të kompanisë koncesionare, por që vendos në dijeni edhe Stela Gugalljën, Klodian Zoton, Denisa Tollkucin, Alda Kodrën, Elton Buallin etj., shkruhet:

Në “email” vendoset edhe CV-ja e Martin Kaçorrit që është djali i Arben Kaçorrit, njeriut që duhet të monitoronte dhe mbikëqyrte ndërtimin e inceneratorit të Fierit dhe Tiranës.

Në tekst thuhet:


Alqi Bllako punësoi babain me një rrogë të majme, Arben Kaçorri punëson djalin. Në të dyja rastet raportohet se emërimet kanë qenë thjesht qoka korruptive.

Rasti i Arben Kaçorrit rihap edhe një herë dosjen e inceneratorit të Fierit që qartazi nuk është hetuar deri në fund, dhe për më tepër faktohen lidhjet me landfillin e Tiranës dhe grupin kriminal të inceneratorëve.

CNA do të vazhdojë të sjellë të tjera fakte dhe prova të pakundërshtueshme në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe përfshirjen e zyrtarëve të lartë.

Inceneratori i Fierit është hetuar nga prokurori Dritan Prençi, i cili mesa duket shumë nga faktet dhe provat nuk i ka parë apo vlerësuar, duke shmangur nga hetimi shumë zyrtarë të lartë, pa shkuar më tej te fakti se inceneratorët janë aferë e organizuar nga të njëjtët njerëz, të cilët duhet të akuzoheshin si grup i strukturuar kriminal.

Gjithçka deri tani ka ngelur vetëm te Lefter Koka dhe Alqi Bllako, duke shmangur zyrtarët e tjerë të lartë siç janë kryebashkiakët apo ministrat e tjerë të përfshirë në këtë aferë.

bottom of page