top of page

Topçiu vjedh paratë e romëve, tenderin 270 MLN lekë e jep pa garë

Edhe pas 23 vitesh në pushtet Gëzim Topçiu nuk i ndal abuzimet në Bashkinë Maliq. Në një linjë strategjinë e propagandës së nisur rishtazi nga qeveria “për të kthyer sytë nga familjet e komunitetit rom”, edhe kryebashkiaku i Maliqit ka shpallur një tender, por ka vijuar me abuzime.

Infrared.com ka denoncuar se si po abuzohet bashkitë me fondet e përcaktuara për të ndihmuar familjet rome dhe ato në nevojë. Jashtë këtij rrethi abuzimi nuk ka mbetur as kryebashkiaku i Maliqit, madje shohim që bashkitë e vogla kanë abuzuar edhe më shumë.

Kryetari Gëzim Topçiu ka firmosur më datë 19 tetor 2023 kontratën me objekt “Përmirësimi i banesave ekzistuese për komunitete të varfra dhe të pafavorizuara”.

Për këtë tender Topçiu ka planifikuar të shpenzojë 270 milionë lekë, me të cilat parashikon që t’iu rregullojë çatitë e banesave 51 familjeve.

Ndërkohë dokumentet e tenderit tregojnë se kompania fituese është shpallur “me mik”. Pra, ky fond do të copëtohet rrugës nga korrupsioni dhe vështirë se do të ketë rezultate në terren.

Themi kështu sepse, edhe ky prokurim është dhënë pa garë fare. Në dokument tregohet se kanë paraqitur oferta 4 kompani, madje njëra prej tyre kishte çmim më të lirë se fituesi. Por, për Topçiun kjo nuk përbën problem. Për të mos u lodhur shumë, kryebashkiaku i ka skualifikuar të gjithë konkurrentët, duke lënë mbi tryezën e tij vetëm kompaninë “VILDEV-CO” shpk.Kështu, pronarja e saj Zhulieta Myrtollari po e rrit listën e gjatë të aferave të përfituara kryesisht nga bashkia Korçë dhe ajo Maliq.

Po të shohim në dokumentin më poshtë, në këto bashki për tre vitet e fundit, Myrtollari ka përfituar 10 miliardë lekë, pjesën më të madhe në prokurime ku është shkelur ligji.

Nga ana tjetër edhe Topçiu, kryebashkiaku “i përhershëm” i Bashkisë Maliq, ka një listë të gjatë të kontratave në shkelje që ka nënshkruar në këto vite. Ai ishte 33 vjeç kur u zgjodh kryetar i bashkisë së qytetit në vitin 2000. Nëse do të zgjidhet sërish, ai do të jetë 60 vjeç në fund të mandatit dhe do të ketë kaluar më shumë se gjysmën e jetës në postin e kryetarit.


bottom of page