Tuneli i Llogarasë akoma thith para, anulohet tenderi 5 Miliardë lekë i Ballukut për rrugën lidhëse
- Editor 1
- Apr 16
- 6 min read

Megjithëse kushtoi mbi 200 miliardë lekë, tuneli i Llogarasë vazhdon të thithë lekë të tjera nga buxheti. Sot mësojmë nga Agjencia e Prokurimeve Publike se, drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli ka anuluar një tender për ndërtimin e rrugëve lidhëse të tunelit. Sipas dokumenteve, një fond mbi 5 miliardë lekë do të përdoret për rrugën nga tuneli i Llogarasë deri në Palasë.Objekti i Kontratës që prokurohet është “Ndërtim i rrugëve lidhëse në Tunelin e Llogarasë”, ndërsa fondi limit fiksohet në 506,639,914.59 Lekë pa TVSH.
Në monedhën evropiane kjo kontratë është përllogaritur nga ARRSH që të jetë 5,105,198.65 Euro pa TVSH.
Arsyet e vërteta të anulimit mbeten të panjohura, pasi projekti i ndërtimit të tunelit është shoqëruar me skandale qysh në nisjen e tij. Ndërsa zyrtarisht ARRSH njofton APP se “ka konstatuar që dokumentet e tenderit përmbajnë gabime ose mangësi të rëndësishme”.
Ndërkohë, sisa javë më parë u deklarua se kanë nisur përgatitjet për vendosjen e tarifës së kalimit në Tunelin e Llogarasë. Konkretisht ARRSH-së shpalli tenderin me vlerë 3.1 milionë euro për vendosjen e disa pajisjeve për të vjelë taksën prej 5 eurosh që është parashikuar të vendoset brenda një kohe të shkurtër. Tuneli u hap para verës 2024, teksa qendroi i hapur disa muaj. Mbyllja u justifikua me disa punë të papërfunduara.
Projekti i sipas dokumenteve të tenderit paraqet vetëm rrugën nga tuneli në Palasë, që është afro 2.7 km. Ndërsa përtej kësaj distance, rruga për në Dhërmi është ndërtuar tashmë.
Tenderi ishte parashikuar të mbahej më 28 prill 2025, por në mënyrë të papritur, është njoftuar anulimi i procedurës. Është një taktikë e njohur e Ballukut, që pasi mëson se kush janë bizneset e interesuara dhe ofertat, shpall anulimin për të vazhduar pazaret jashtë tryezës.
Skandali i tenderi të tunelit që nxori zbuluar Ballukun dhe Berberin
Gara për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë u shpall më 19 qershor të 2020-ës, ndërsa në shtator 2019 kompania austriake IC Consulting ishte shpallur fituese për projektimin e tunelit.
Tuneli i Llogarasë ka një gjatësi prej 6 km dhe nis nga Ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit e deri në Urën e Palasës. Kjo vepër financohej nga fondet e buxhetit të shtetit dhe ishte llogaritur të kushtonte 155 milionë euro. Por rrugës, korrupsioni e rriti shifrën në mënyrë të paimagjinueshme.
Më 19 qershor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën ndërkombëtare për rishikimin e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e projektit inxhinierik: “Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë” me fond limit 624 milionë lekë ose 6 milionë euro. Në garën për projektimin e tunelit morën pjesë 8 kompani, nga të cilat 6 u s’kualifikuan automatikisht nga Ministria e Infrastrukturës, për mosplotësim kushtesh. Në tetor 2020, institucioni publik do të shpallte fitues konsorciumin e kompanive “SEED Consulting”, “InfraKonsult”, “iC Consulenten Ziviltechniker GESmbh”, “ELEA iC d.o.o” dhe “IBE d.d svetovanje, projektiranje in inzeniring”, me ofertë 618 milionë lekë ose rreth 6 milionë euro. Në garë u kualifikuan edhe bashkimi i kompanive “SËS Engineering “ spa , “LLAZO” shpk dhe “NET-GROUP” me ofertë 540 milionë lekë.
Kjo e fundit është kompania e Valter Begajt, ish-ortaku i ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi,- që të dy të arrestuar dhe nën hetim nga SPAK për tenderat e fituar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Pas përfundimit të garës për studimin e fizibilitetit, më 14 dhjetor 2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të hapte garën për tenderin e parë për “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum Himarë pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë) me fond limit 19 miliardë lekë ose 190 milionë euro.
Ministria e Infrastrukturës parashikonte dorëzimin e ofertave për ndërtimin e tunelit të Llogorasë me 12 shkurt 2021, por e shtyu këtë afat deri në 1 mars 2021. Megjithëse, komisioni i Berberit dhe i Ballukut i ndryshoi kriteret duke ulur kërkesat e kapacitetit teknik dhe financiar, në prill 2021, Ministria e Infrastrukturës do të anulonte tenderin pasi asnjë nga ofertat e paraqitura nga kompanitë nuk përputhej me kriteret e përcaktuara te dokumentet.
Më 8 tetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të skualifikonte të gjithë pjesëmarrësit, me përjashtim të konsorciumit të kompanive turke “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK INSAAT” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”, të cilët u shpallën automatikisht fituese me ofertë 17 miliardë lekë ose 200 milionë euro me TVSH.
Grupi i kompanive shqiptare dhe të huaj, “JV CONCORD ENGINEERING AND CONTRACTING”, “ALB BUILDING” shpk dhe “ALB STAR”, kishin ofertë më të ulët se kompanitë turke me vlerë 15.8 miliardë lekë. Pra, të shkualifikuarit kishin një ofertë gati 12 milionë euro më pak se oferta fituese.
Sipas Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, ky grup kompanish u shkualifikuan sepse nuk kishin asnjë projekt të ngjashëm për ndërtimin e një ure me gjatësi 120 m.
Konsorciumi turk ka marrë si nënkontraktor për këtë projekt kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me pronar Rrok Gjokën, i njohur edhe si fitues në disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në Shqipëri. Në tenderin e parë të anuluar, “Gjoka Konstruksion” kishte ofertën më të mirë ekonomike bashkë me një kompani tjetër turke. Ndërkohë, personi që kryente veprime të ndryshme financiare për konsorciumin turk në Shqipëri “INTEKAR ASL” ishte Rovena Dorezi, juriste e kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
Po ashtu, fondi limit nga tenderi i parë në të dytin u rrit me afro 30 milionë euro.
Në dhjetor 2021, Ministria e Infrastrukturës do të shpallte garën për tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në ndërtimin e Tunelit të Llogarasë me fond limit 196 milionë lekë ose gati 2 milionë euro.
Në tender do të merrte pjesë bashkimi i kompanive “Staki” eltidi dhe “Gjeokonsult & CO”, të cilët do të garonin me bashkimin e kompanive “Hill International” dhe “NetGroup”. Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë “Staki” Eltidi dhe “Gjeokonsult&CO” u skualifikuan, pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender, duke i lënë rrugën e lirë “Hill Internacional N.V” dhe “Net-Grup”, të cilat në prill 2022 do të shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.
Kompania “Net-Grup” shpk, është në pronësi të Valter Begajt, ish-ortak i ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberit, në kompaninë “DAAM”.
Natën e 13 marsit 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit do të bastisnin banesat e Evis Berberit dhe Valter Begajt, duke i arrestuar të dy nën akuzën për korrupsion dhe pastrim parash. Ky i fundit, është personi kyç që është nën akuzë nga SPAK, pasi ka pastruar paratë e përfituara përmes tenderave të paligjshëm nga ish kreu i ARRSH-së. Njohjet mes Valter Begajt dhe Evis Berberit janë të hershme, ato datojnë përpara se ish-drejtori i ARRSH-së të ngjiste shkallët në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjetikes. Me emërimin në krye të ARRSH-së, Evis Berberi do t’i shiste aksionet e kompanisë “DAAM” te Valter Begaj, për 1.7 milionë euro, ndërsa vet i kishte blerë për 800 euro.
Por Valter Begaj ishte pronar edhe i kompanisë NET-GRUP (ish “B-VAAL ENXHENIERING”), e cila rezulton dhe kompania që ka fituar tendera në mënyrë të paligjshme nga Evis Berberi. Këto të ardhura transferoheshin te kompania tjetër e Begajt, kompania DAAM, e cila sipas Prokurorisë së Posaçme vijonte që të kontrollohej po nga Berberi, pavarësisht shitjes fiktive që ai i kishte bërë aksioneve. Kompania ‘Net-grup’ në këtë periudhë ka marrë një numër të lartë tenderash, ndërsa SPAK ka listuar vetëm 3 tendera me vlerë rreth 1 milion euro. Nga informacionet zyrtare bëhet fjalë për tendera të firmosur në një datë, më 18 prill 2022 me vlera 270 mln lekë, 450 milion lekë dhe rreth 400 milion lekë, të cilat koincidojnë edhe me tenderin për mbikëqyrjen e Tunelit të Llogarasë.
Më datat 1 dhe 29 dhjetor 2022, me anë të dy akteve normative nr.17 dhe 19, në mënyrë të paprecedentë, në cilësinë e zv.kryeministres, Belinda Balluku do të miratonte ndryshimet në buxhetin e shtetit për t’i shtuar 5 miliardë lekë ose 50 milionë euro te portofoli i ministrisë që drejtonte vet. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, është konstatuar se miratimi i akteve normative është bërë në tejkalim afati dhe pa analiza të detajuara nga Ministria e Financave, por që përgjegjësitë në këtë rast bien edhe mbi zv.kryeministren Balluku.
Aq më tepër, kur këto 50 milionë euro janë transferuar tek Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për projekte si Rruga e Arbrit dhe Tuneli i Llogarasë, të dyja projekte të kompanisë “Gjoka Konstruksion”.
“Këto praktika nuk janë në përputhje me ligjin nr. 9936 datë 26.6.2008 “Mbi zbatimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku njohja e shpenzimit bëhet në çastin e konstatimit dhe pagesa e tij bëhet brenda 30 ditëve.”
Në raport zbulohet se një nga pagesat që është bërë në mënyrë pjesore në kundërshtim me ligjin lidhet me transfertat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.
Së fundmi, anulimi i tenderit nga Gentian Gjyli, beniamini i Ballukut pas arrestimit të Berberit, mund të jetë një pazar i lënë përgjysmë! Ndwrkohw qw firmoste enulimin e kwtij tenderi, Gjyli u thirrur nw SPAK.
Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli është paraqitur më 11 prill në SPAK.Gjyli, një prej të besuarve të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, u paraqit në SPAK edhe në janar, ku sipas burimeve u pyet nga prokurorët e posaçëm lidhur me hetimet që po zhvillohen për abuzimet me tenderat e rrugëve.
Gjyli zëvendësoi Evis Berberin në krye të ARRSH-së, i cili përfundoi në pranga me urdhër të SPAK për akuzën e korrupsionit e pastrimit të parave.
Comments