Fluksi i jashtëzakonshëm i turistëve të huaj që vizituan Rivierën jugore të vendit ishte më i përmbajtur në plazhet e Durrësit, ku pushuesve të përvitshëm nga Kosova iu shtuan edhe grupet e të huajve nga vendet e Evropës lindore, si dhe nga Italia apo Spanja.
Megjithëse sezoni veror nuk ka përfunduar ende, operatorët turistikë kanë nisur ta pyesin veten: “A do të vijnë përsëri vitin e ardhshëm?
A i kanë vënë re mangësitë tona që shpesh herë dallohen qartazi?. Çfarë do të shkruajnë në rrjetet sociale për atraksionet e qytetit, apo për mundësitë për ti shijuar ato?”.
Pyetje që i adresohen më së shumti bashkisë së Durrësit apo institucioneve lokale, veprimtaria e të cilave gjen në muajt korrik dhe gusht intensitetin më të madh turistik.
Kushdo që jeton në Durrës apo që komunikon me turistët e huaj, i liston lehtazi problematikat verore të qytetit antik, mes të cilave për tu thelluar zgjodhëm trafikun dhe kulturën.
Rrugët e qytetit në qendër dhe në periferinë e tij mbetën edhe këtë sezon “thembra e Akilit” për lëvizjen e automjeteve dhe të kalimtarëve.
Rruga “Pavarësia”, 5 km e gjatë, si dhe të gjitha alternativat e saj në Plazhin tradicional të qytetit e rënduan përsëri trafikun, thuajse në çdo orë të ditës.
Edhe në rrugët bregdetare brenda qytetit lëvizjet e autoveturave janë vështirësuar përsëri së tepërmi, sidomos në pikun e mbërritjes së trageteve me mjete dhe udhëtarë.
Ndërhyrja e bashkisë në fillim të muajit gusht për të vënë Bulevardin “Epidamn” në dispozicion vetëm të kalimtarëve nga vendi dhe bota, nuk e lehtësoi situatën. Mungesa e rrugëve dytësore për shkarkimin e trafikut, evidentoi edhe një herë projektet e gabuara që janë zbatuar ndër vite në fushën e infrastrukturës brenda qytetit nr 2 të vendit.
Transporti publik ishte një tjetër mangësi në mikpritjen e turistëve të huaj. Prej vitesh në Durrës mungon një terminal i përbashkët i autobuzëve urbanë, dhe nisja e tyre bëhet nga stacione gati rastësore.
Cilësia e udhëtimit në transportin publik mbetet larg kërkesave të qytetarëve dhe pushuesve.
Autobuzë që vonohen për shkak të trafikut, dhe ku mbizotëron vapa e numri i pafund i udhëtarëve, nuk arritën të jenë në lartësinë e detyrës, pa folur për përfundimin e rrugëtimeve në orën 22.00, orar mjaft I kufizuar për pushuesit që duan kthehen edhe më vonë nga plazhi drejt qytetit dhe anasjelltas.
Bashkia e qytetit i ka orientuar veprimtaritë kulturore artistike në dy nga sheshet e tij si dhe në amfiteatrin antik.
Në plazhin më të madh të vendit, nga ura e Dajlanit deri në Shkëmbin e Kavajës, ku pushojnë më shumë se 50 mijë turistë vendas dhe të huaj, prej shumë vitesh nuk është organizuar asnjë shfaqje, koncert, cirk, teatër kukullash apo performance për të rritur.
Kinemaja e fundit verore në këtë hapësirë i përket vitit 1989, dhe vendin e saj në sektorin “Iliria” e ka zënë një kompleks pallatesh shumëkatëshe.
Kështu që deri në orën 23.00 kur fillon kufizimi i zhurmave, pushuesit nga Kosova duhet të kënaqen me këngëtarët që ftohen në lokalet-lulishte.
Njëlloj si shumica e restoranteve dhe shërbimeve që menaxhohen nga shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, edhe veprimtaritë kulturore në mbrëmjet e plazhit organizohen nga vetë turistët, që kanë mbërritur për tiu gëzuar detit dhe pushimeve.
Bashkia e Durrësit administron afro 62 km bregdet, dhe veç pjesës jugore, edhe plazhe të tjera në Shën Pjetër, Hamallaj, Katundi Rinia apo Kallm.
Detyrë e vështirë, për shkak të veçantive dhe mangësive të trashëguara që ato kanë. Diçka mund të ndryshojë nëse fillon që tani analiza dhe puna konkrete për ti bindur turistët të zgjedhin Durrësin gjatë verës së ardhshme.