top of page

U kap me sasi gjigande eurosh, efektivi: I kam marrë për…


Detaje të reja kanë dalë nga dëshmia e efektivit të RENEA-së Altin Morina, që u arrestua ditën e djeshme në Tiranë. Mësohet se Morina ka deklaruar para policisë që lekët i ka tërhequr nga banka dhe se i ka për hallet e veta. Po ashtu ai ka mohuar se është pjesë e ndonjë grupi kriminal.

“Janë tërhequr në bankë dhe i kam marrë për hallet e mia. Nuk kam kryer asgjë të jashtëligjshme dhe nuk jam pjesë e asnjë grupi kriminal”, ka thënë Morina.


Pas kësaj dëshmie policia po kryen verifikime për transaksionet bankare të Morinës dhe familjarëve të tij.

39-vjeçari, Altin Morina është prej vitesh pjesë e strukturës së ruajtjes dhe zbatimit të ligjit. Karriera e tij ka nisur në strukturën e sotme të AMP.

Morina punoi në vitin 2012 në SHÇBA dhe më pas kaloi në radhët e Policisë, ku qëndroi si oficer në Komisariatin nr. 3 në Tiranë.


Nga atje, karriera e tij njohu vetëm rritje, pasi më pas drejtoi komisariatin e Policisë në Ballsh. Nga ky qytet, Morina kaloi në RENEA ku ishte në detyrë deri në momentin e vënies në pranga.


Ai sot akuzohet për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.

Hetimet vijojnë për të zbuluar origjinën e shumës së madhe të parave që efektivi i policisë kishte me vete.

Ka dyshime se përveç lidhjes me eksponentë të caktuar të krimit në vënd, ish-efektivi mund të ketë qenë i përfshirë në dhënien e parave me fajde.

Arrestimi i tij është një tjetër alarm për përbërjen e trupës policore, ku Morina është efektiv i radhës nga RENEA që kapet në shkelje të ligjit.



bottom of page