Kur Eltar Deda mori detyrën e Administratorit të “Albpetrol”, në Tetor 2022, detyra e tij kryesore ishte rekuperimi i dëmeve të mëdha ekonomike që i ishin shkaktuar kompanisë shtetërore të naftës nga paraardhësit e tij.
Në një audi të kryer një vit më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi problematika të shumta, të cilat i kishin shkaktuar kompanisë humbje ose fitim të munguar, që llogaritet në miliona dollar.
Dëmet financiare lidheshin me disa procedura ankandi për shitjen e naftës; debitë e mëdha të krijuara nga mos-pagesa e energjisë elektrike nga ana e kompanive koncesionare që operojnë së bashku me Albpetrol-in; trajtimin financiar të dyshimtë të anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës; si edhe në tendera të ndryshëm.
Emërimi i Eltar Dedës u konsiderua si “ilaçi” për përmirësimin e situatës së rëndë financiare në kompaninë gjigande të Albpetrolit.
Por, në një audit të përfunduar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, me fokus kryesisht verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna më parë, konstatoi se situata e rëndë vijon të thellohet.
KLSH ka mbyllur auditin e përputhshmërisë së ‘Albpetrol” për vitin 2021-2022. Në përfundim të tij ka rekomanduar shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të administratorit Eltar Deda.
Pra, sipas KLSH-së, Deda, i cili më herët ka qenë deputet i Partisë Socialiste, ka dështuar plotësisht vetëm në dy muaj detyrë (nga emërimi në tetor 2022 deri në dhjetor 2022, koha e auditimit).
Rekomandimi ndaj tij është një “karton i kuq”. Të largohet nga detyra, si personi kryesor përgjegjës për mos-marrjen e masave të nevojshme në përmirësimin e situatës financiare të shoqërisë “Albpetrol”.
Përgjegjësia e Eltar Dedës kërkohet më shumë tek mos-veprimi i tij për rikuperimin e humbjeve të shkaktuara ndër vite, që rëndojnë bilancin tregtar të kompanisë.
Por, gjithashtu, KLSH ka konstatuar problematika që rëndojnë mbi Eltar Dedën edhe në disa procedura tenderuese qindra-milionë lekë, të zhvilluar në fund të vitit 2022, në kohën që ai e kishte marrë detyrën.
Tenderat e dyshimtë
– Në Dhjetor 2022, shoqëria ‘Albpetrol” nën drejtimin e Eltar Dedës, zhvillon procedurën tenderuese për “blerje tubo pompë kompresori”, me fond limit 38.854.800 lekë të reja.
Në tender marrin pjesë tre kompani. Fituese shpallet shoqëria “Vibtis”, e cila paraqit ofertën 38.271.978 lekë të reja ose gati 99 përqind të fondit limit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton se, nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur rezulton se shoqëria “Vibtis” nuk plotësonte kriteret për të kualifikuar dhe, rrjedhimisht, edhe nuk mund të shpallej fituese.
Pasi ka analizuar mangësitë në ofertën e kompanisë private, KLSH arrin në konkluzionin se fituesi është shpallur në kundërshtim me ligjin për Prokurimet Publike.
Për këtë arsye, sipas KLSH-së, “ngarkohen me përgjegjësi Eltar Deda, në cilësinë e Administratorit të Albpetrol, si edhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), (të cituar me iniciale në raportin e auditit); A.B, V.H dhe M.P.”
– Në fillim të vitit 2022, pra në një kohë kur Eltar Deda ende nuk ishte emëruar në krye të ‘Albpetrol”, shoqëria publike e naftës zhvillon procedurën tenderuese me objekt “Blerje kalimatës nafte”, me fond limit 37.936.920 lekë të reja.
Në prill 2022 shpallen rezultatet e tenderit dhe fitues është sërish shoqëria “Vibtis”, me ofertën ekonomike 37.178.181 lekë të reja ose 97 përqind të fondit limit.
Nga auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se mallrat kanë hyrë në magazinën e Patosit, por nuk është kryer instalimi i tyre.
Tenderi është realizuar në kushtet e “urgjencës”, pasi Albpetrol i kërkonte kalimatësit brenda një kohe shumë të shkurtër, me qëllim shitjen e naftës sipas kërkesës së doganës.
Por, ajo “urgjenca” e momentit të parë duket se nuk ka qenë edhe aq reale, pasi KLSH ka zbuluar se pajisjet matëse qëndrojnë në magazinë, të pamontuara dhe të pavendosura në punë.
Kjo situatë, sipas KLSH-së, konsiderohet si “shpenzim pa efektivitet për shoqërinë me fond 37.936.920 lekë të reja nga mosvënia në punë të kalimatësve.
Në konkluzion për këtë tender, audituesit shtetërorë vlerësojnë se “megjithëse procedura është zhvilluar dhe lidhur kontrata me subjektin fitues “Vibtis” shpk, nuk është bërë i mundur vënia në punë e këtyre aparaturave sipas kushteve të kontratës ose nga data 23.8.2022, megjithëse këto paisje janë bërë hyrje në magazinë, duke e bërë këtë një shpenzim jo me efektivitet dhe që pengon procesin e shitjes së naftës”.
KLSH vlerëson se një ndër personat përgjegjës për këtë “shpenzim pa efektivitet”, është Eltar Deda, me funksion Administrator i shoqërisë ‘Albpetrol” sha.