top of page

Vdekja e kenianes, shoferi i kazinosë u përgjua, u pyet…


Rodi Barçi, shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja keniane që përfundoi në gjendje kome dhe ndërroi jetë në mënyrë misterioze është marrë në pyetje bashkë me dy anëtarë të tjerë të familjes. TopChannel raporton se në komisariatin nr.1 në Tiranë, janë shoqëruar dhe vëllai e nëna e tij, Mateo dhe Henirjeta Barçi.


Kjo për faktin se 32-vjeçari me të cilin Joy dyshohet se ka qenë e lidhur, ka qenë në përgjim për disa kohë, periudhë gjatë së cilës janë mbledhur të dhëna të vlefshme për hetimin. Mes tyre dhe bisedat me familjarët, por nuk dihet ende se çfarë është biseduar konkretisht mes tyre. Aktualisht po punohet edhe për rimarrjen në pyetje të shtetases keniane Emily Mutua, mikeshë e Joy-t. Vetë Rodi Barçi ka mohuar të ketë pasur lidhje me 22-vjeçaren apo ndonjë konflikt të mundshëm.


Prokuroria e Tiranës i ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ndërroi jetë. 22-vjeçarja ndërroi jetë më 13 shkurt, pasi u largua nga Shqipëria drejt vendlindjes. Joy Aoko ndodhej e shtruar në spital që prej 14 gushtit të vitit 2022. 22-vjeçarja kishte ardhur në Shqipëri për të punuar në një kazino, por në gusht të vitit të kaluar, u gjet buzë godinës ku jetonte prej muajsh. Dyshimet paraprake ishin se e reja kishte rënë nga dritarja, por nga ekzaminimet e mëtejashme u vërtetua se ishte dhunuar e me shumë mundësi përdhunuar e më pas lënë ne derën e rezidencës ku jetonte.

bottom of page