Ndërtimi i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore, është projekti që u përdor më së shumti nga Veliaj, për propagandën e fushatës zgjedhore. Por, ky treg po iu kushton shumë xhepit të qytetarëve dhe më e fituar po del firma ndërtuese.
Më datë 5 qershor 2023, Bashkia Tiranë ka mbyllur një tjetër tender me objekt Ndërtim i tregut për shitjet me shumicë dhe pakicë të produkteve ushqimore (Tirana Agrikulture)-Faza II. Në këtë prokurim është vënë në dispozicion fondi me vlerë 430 milionë lekë.
Fati i këtij fondi varet nga risku i korrupsionit dhe këtë e tregojnë shkeljet që janë bërë në procesin e tenderimit. Së pari, vëmë re se fituesi është shpallur jo sipas rregullave të konkurrencës, por kontrata i është bërë dhuratë.
Në dokument shihet që për këtë tender kanë paraqitur ofertat e tyre 9 firma. Por të gjitha janë skualifikuar dhe është lënë e vlefshme vetëm oferta e “K A C D E D J A” shpk, në pronësi të Skënder Kacdedjas.
Oferta e tij, regjistrohet në vlerat rreth 400 milionë lekë. Pra sa 75% e fondit limit, por pavarësisht kësaj Veliaj e firmosi kontratën pa e vrarë ndërgjegjja.
Sakaq, duhet të theksojmë se ky tender është si një vazhdim kontrate me negocim, në vijimësi të lotit të parë.
Edhe tenderin e parë e ka fituar e njëjta firmë. Kontrata e parë është nënshkruar në vitin 2021 dhe fondi limit regjistrohej në vlerat 2.3 miliardë lekë.
Sikur e shohim në dokument fitues është shpallur firma “K A C D E D J A” shpk. Në bashkëpunim “EVEREST” shpk me ofertën 1.6 miliardë lekë.
Këto fakte tregojnë që projekti po zhvillohet për të mbushur xhepat e Skënder Kacdedjas dhe të Lai Erit. Deri më tani kjo kompani ka arkëtuar mbi 2 miliardë lekë për ndërtimin e këtij tregu. Në këtë pikë na mbetet vetëm të shpresojmë që tregu të ndërtohet, se shkeljet dhe “flamujt e kuq” që valëvit Lali Eri nuk i sheh SPAK-u.