Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka vendosur që të pudros me asfalt rrugët e lagjeve dhe të lyejë fasadat në Tiranë, para zgjedhjeve. Rëndomë këto para janë duke u xhiruar në llogaritë e personave të dënuar. Jan denoncuar shpesh tenderët abuzivë të Veliajt që ua fal pa garë oligarkëve që shquhen në përvetësimin e buxhetit të shtetit. Kështu, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me tenderin e radhës, të cilin kryebashkiaku është mundur ta kalojë në fshehtësi.
Bëhet fjalë për projektin me objekt Rikualifikimi i bllokut, që kufizohet nga rrugët “Teodor Keko”, “Tom Plezha”, “Mikel Maruli” dhe “Loni Ligori”, planet për të cilin kanë nisur që në vitin 2021, ndërsa punimet në terren filluan në shkurt të këtij viti. Në 2 vjet, Veliaj e harroi këtë lagje, tani në prag zgjedhjesh u kujtua që të hedhë pak zift.
Fituesi është shpallur me 23 janar 2023, ku në dispozicion ishte lënë fondi 3.2 miliardë lekë. Janë shifra marramendëse për të kryer rregullime në një lagje. Para që derdhen lumë dhe nuk konkretizohen në terren.
Fituesi i dënuar
Sakaq, bëhet me dije se 20 firma kanë paraqitur ofertat e tyre, por Veliaj ka pranuar atë të firmës “S I R E T A 2F” shpk. Nga të dhënat e Open Data rezulton se kriteret për konkurrencën dhe fondin limit, për herë të parë, janë zbatuar nga Bashkia Tiranë. Por, ajo që bie në sy është fituesi. Dhe ky nuk është një problem i vogël. “S I R E T A 2F” shpk drejtohet nga persona të dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim. Konkretisht, në dokumente rezulton se pronare është Fatime Pali, por që ka pasur një tjetër aksioner.
Aksioneri i vetëm i kompanisë rezulton se ka qenë Fiqiri Pali, i cili është bashkëshorti i Fatime Palit. Por, më datë 15 maj të vitit 2008, me anë të kontratës së shitjes së kuotave të kapitalit, Fiqiri Pali i ka shitur 100% të kuotave me vlerë 100 mijë lekë bashkëshortes Fatime Pali. Pra, kjo kompani që xhiron miliarda lekë është shitur vetëm për 100 mijë lekë.
Gjithsesi pazaret janë bërë brenda familjes dhe urdhrat vazhdon t’i jap Fiqiri Pali. Ky i fundit njihet për faktin që është dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh.
Ai arrestua dhe u dënua në vitin 2008, si pjesë e një skeme korrupsioni, ku vidheshin paratë publike me tenderë abuzivë. Skema funksiononte me disa institucione, por policia dhe prokuroria dokumentoi një aferë me Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Fiqiri Pali, në bashkëpunim me Llambi Tarka, u akuzuan në atë kohë se korruptuan zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini, duke paracaktuar tenderin e rikonstruksionit të ministrisë dhe duke ndarë fitimet bashkë.
Pali u dënua në 2 maj të vitit 2008. Dënimi i tij është konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. 12 ditë më pas ai shiti aksionet tek e shoqja, për të shpëtuar kompaninë nga balta.
Planet e vitit 2021
Sikur përmendëm më lartë, planet për rehabilitimin e kësaj lagjeje kanë nisur që në vitin 2021. Asaj kohe u shpenzuan 31 milionë lekë vetëm për të studiuar projektin se si do të ndërtohet. Këto janë shpenzime shtesë, kur vetë bashkia ka urbanistë dhe projektues që mund t’i bëjnë plane të tilla. Sidomos kur bëhet fjalë vetëm për sistemim të lagjes, kjo është një punë që nuk kërkon studime të thella.