top of page

Vetëvrasja e Pal Trashajt, skandali i mikro-kredive u zbulua në 2020, ja kush nuk veproi, në skemë edhe bankat

Një ditë para vdekjes së tij tragjike, Pal Trashaj besonte ende te drejtësia.

Pas denoncimeve të shpeshta publike dhe zyrtare për një skemë mashtrimi me mikrokreditë, 63- vjeçari nga Lezha kapërceu më 2 korrik portën e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë në kërkim të një takimi me një oficer të Byrosë Kombëtare të Hetimit.  Ai kërkonte të dinte se ç'kishte ndodhur me denoncimin e tij.

Sipas një njoftimi të SPAK, oficeri i informacionit i kërkoi Trashajt që të priste. Por Trashaj nuk u kthye më dhe pak orë më vonë piu fostoksinë në shenjë proteste në oborrin e SPAK – helm që i shkaktoi vdekjen një ditë më pas.Kalvari i Trashajt nisi 16 vjet më parë me marrjen e një kredie prej 550 mijë lekësh në institucionin financiar NOA për zgjerimin e sipërmarrjes së tij të vreshtarisë. Por në vitin e katërt të kredisë ai humbi punën dhe u përball me vështirësi për të paguar.


Në një letër dërguar NOA-s në nëntor të vitit 2011 të cilën BIRN e disponon, Trashaj kërkonte dëshpërimisht shtyrjen e pagesës së këstit për shkak se ishte i papunë dhe kishte tre fëmijë në universitet.

“Më duhet të paguaj masterin 65 mijë lekë të njërit prej fëmijëve, ndaj kërkoj shtyrjen e këstit për në datat 7-10 dhjetor,” thuhet në letër.

Edhe pse besonte se e kishte shlyer kredinë, Trashaj rezultoi sërish debitor në vitin 2018 për një vlerë minimale prej 47 mijë lekësh bashkë me kamatë-vonesat. Në vitin 2018, kredia e tij u ble nga Micro Credit Albania dhe vlera e saj gati u dhjetëfishua në 450 mijë lekë.

Gledis Trashaj deklaroi për mediat pas vdekjes së të atit se ata ishin përndjekur për vite me radhë, duke iu bllokuar llogaritë e pagave, shtëpia dhe makina.

“Babai im po kërkonte drejtësi për padrejtësitë që i janë bërë, sepse e kishte paguar kredinë. Ka qenë njeri parimor dhe ka shkuar në SPAK duke patur shpresë se do të marrë drejtësi,” tha Gledis Trashaj i revoltuar.

MCA tha në një deklaratë publike se sekuestrot mbi të ndjerin Trashaj ishin hequr në janar 2023 dhe se shoqëria “nuk ka tejkaluar në asnjë moment kompetencat e saj”.

Megjithatë, drejtësia vonoi të vinte për Pal Trashajn dhe mijëra qytetarë të tjerë që po kalojnë të njëjtin kalvar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një korrespondence mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Ministrave tregojnë se pavarësisht se skandali me mikrokreditë u zbulua dhe u denoncua të paktën që nga viti 2020, skema jo vetëm që nuk u bllokua, por u zgjerua dhe sofistikua, duke rënduar edhe më shumë pozitat e mijëra viktimave nga çdo cep i Shqipërisë.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se ndërsa një sërë institucionesh bënë një sy qorr në pritje të rezultatit të hetimeve, Prokuroria e Posaçme dhe ajo e Tiranës u përfshinë një një konflikt kompetencash – çka solli zvarritje të procedimeve dhe arrestime të pjesshme të personave të përfshirë vetëm katër vite më pas.

Në të njëjtën kohë, mijëra urdhra të reja sekuestroje u ekzekutuan nga një grup përmbaruesish privatë në dëm të qytetarëve kredimarrës.

Më 23 maj, Prokuroria e Tiranës lëshoi urdhër arreste ndaj 9 personave të përfshirë në skemën e abuzimit me mikrokreditë, në qendër të së cilave gjenden institucionet financiare Micro Credit Albania dhe Final, zyra ligjore ADCA dhe disa shërbime përmbarimore. Një hetim i dytë iu dërgua për kompetencë Prokurorisë së Posaçme për shkak se vlerësohet se përgjegjësitë shtrihen deri te guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Sipas vlerësimit të Ministrisë së Drejtësisë në qershor të këtij viti, “situata paraqitet tejet serioze dhe kërkon adresim të menjëhershëm në të gjitha instancat ligjzbatuese që janë përgjegjëse për zbatimin e ligjit”.

E pyetur nga BIRN për vonesën e hetimeve, Prokuroria e Tiranës tha përmes një zëdhënëseje se përveç çështjes së kompetencës me SPAK, materialet ishin voluminoze dhe përfshinin një numër të stërmadh prej 17 mijë subjektesh.

“…Për kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse është dashur një kohë e konsiderueshme për verifikimin e të gjitha fakteve,” tha Prokuroria e Tiranës.

Ndërkohë, përgjigja e SPAK ishte më diskrete.

“Procedimi penal për të cilin kërkoni informacion ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, për këtë arsye nuk mund të ndajmë asnjë informacion me mediat,” tha zëdhënësja e SPAK.

Mijëra urdhra sekuestrosh

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën. Foto: LSA.Kompania Micro Credit Albania u bë simboli i një tregu spekulant të shit-blerjes së kredive të këqija përgjatë dekadës së fundit në Shqipëri, në bashkëpunim edhe me zyra ligjore apo një grup zyrash private të përmbarimit gjyqësor.

bottom of page