Megi Pojani ka qenë e ftuar në “Wake Up” për të sqaruar videon e saj që ka dalë së fundmi në rrjetet sociale.
Ajo u pa në këtë video mbi varrin e stërgjyshes së saj duke bërë shaka dhe duke kërcyer, gjë që ka ngjallur mjaft zemërim në publik. Ajo i ka kërkuar falje të gjithë njerëzve që janë prekur nga kjo video, por shpjegon se nuk ka qenë qëllimi i saj të tallet dhe aq më pak me familjarët e saj.
Ajo ka shpjeguar se me të ëmën dhe motrat shkon rreth 2-3 herë në vit tek varrezat për të pastruar varret e të afërmeve të saj. Por fakti që e ëma e saj qan sa herë që shkojnë, kjo nuk i pëlqen dhe përpiqet që të ç’dramatizojë situatën, duke bërë shaka për t’i rikthyer buzëqeshjen të ëmës.
Madje sipas saj, ajo dhe motrat e saj janë terapia më e mirë e së ëmës dhe do përpiqet që ta bëjë të ndihet mirë sa herë. Përsa i përket reagimit të të atit pas kësaj video, Megi shprehet se ai është njësoj si ato që përpiqet gjithmonë që të bëjë familjen të lumtur dhe të qeshë.
Blendi Salaj: Të kanë thënë gjë prindërit lidhur me këtë?
Megi Pojani: Të jem e sinqertë prindërit e mi e kuptojnë. Mami im e kupton, se ne jemi terapia më e mirë e asaj gruaje dhe do këmbëngul dhe do përpiqem deri në fund se unë e di që na ka vetëm neve dhe për këtë arsye, për çdo gjë që ne të kemi në dorë që ajo të ndihet më mirë unë do e bëj. Pastaj babi im është njësoj si ne, në kuptimin që për familjen jemi aty dhe përpiqemi gjithmonë të ngremë dhe karikojmë njëri-tjetrin. E përsëris kam marrë shumë mesazhe për këtë, sigurisht shumë mesazhe urrejtje, por edhe mesazhe njerëzish që e kuptojnë. Jo të gjithë njerëzit e përjetojnë dhe menaxhojnë dhimbjen në të njëjtën formë. Ky ka qenë një rast që unë kam qenë shumë neutrale, pra është një njeri që unë nuk e kam njohur, një njeri që mamaja ime e ka dashur, që familjarët e mi kanë pasur një respekt të veçantë, por unë nuk e kam njohur. Në momentin që ti je kaq e ftohtë edhe me dhimbjen, mbase e ke më të thjeshtë.
Blendi Salaj: E kuptoj, nuk e kishe për qëllim që të talleshe.
Megi Pojani: Absolutisht jo, bëhet fjalë për familjen time, nuk do ta bëja.