Autori i dyshuar për vrasjen e Behar Sofisë, Ernejt Shyti, aktualisht në burg, ka rrefyer se do duhej të vriste një 34 vjecar, që jetonte në Kamëz, pranë komisariatit të policisë. ‘Reporttv’ ka zbardhur dëshminë që ai e dha në seancën më të fundit, ku nxorri detaje për porositë që i afronte Bujar Leza. Ai tregoi se pasi ekzekutoi Sofinë në anë të Lanës në Tiranë, kishte marrë porosi për të kryer një tjetër vrasje, e cila nuk u bë pasi nuk ishte studiuar mirë zona.
“Pasi u vra Behar Sofia, kishim porosi tjetër nga Bujar Leza. Do të bënim një vrasje në Kamëz, shenjestra ishte një person 34 vjeç që e kishte shtepinë në Kamëz, shumë pranë komisariatit të Policisë. Këtë vrasje do e bënte Xhulian Visha, por zona ishte shumë e monitoruar dhe ndaj paguhej shumë lekë. Nuk u arrit qëllimi sepse duhej studiuar mirë zona, ishte tepër e vështirë”.
Edhe më herët, Shyti ka zbuluar se të njëjtat persona që e kishin paguar për këtë atentat, i kishin ngarkuar dhe një tjetër detyrë. Ai ka thënë se ishte ngarkuar të kryente një tjetër vrasje në Gjermani, për të cilën do të paguhej 500 mijë euro.
66-vjeçari Behar Sofia, i njohur si “padron droge” në Shqipëri u vra rreth orës 09:00 të 25 shkurtit 2022 teksa ecte me këmbë pranë Piramidës. Ai u ndoq nga Shyti, i cili, i veshur me maskë Covid-19 e qëlloi dy herë me armë zjarri. Deri më tani janë identifikuar si të përfshirë për vrasjen e Behar Sofisë shtetasit: Ernejt Shyti, Xhuliano Visha, Leonard Xhixha, Skënder Vathi dhe Bujar Leze, që nga ana e tyre mbajnë qëndrim mohues.