Kthesë në hetimet për vrasjen e shqiptares Anila Ruçi në Itali. 38-vjeçarja shqiptare u gjet e vrarë me një plagë thike në fyt në shtëpinë e saj në Scaldasole, Pavia.
Gazeta ‘Repubblica’ shkruan se karabinierët kanë arrestuar Osman Bilyhun, një 30-vjeçar shqiptar.
Bilyhu jetonte me viktimën, ndërsa është i shtruar në spital në Pavia me plagë thike. Sipas gazetës italiane, 30-vjeçari u gjet jashtë shtëpisë ku ndodhi vrasja.
Ai u prezantua si vëllai i viktimës, por në fakt nuk ka lidhje me të. Arrestimi i shqiptarit erdhi pas një seance pyetje gjatë natës në spitalin ku ndodhet i shtruar.
Anila Ruçi, 38 vjeç, ishte shumë e rezervuar dhe pak e njohur, pasi jetonte në Scaldasole prej rreth një viti. Më parë ajo kishte jetuar me të afërmit në Sannazzaro dhe punonte si kujdestare dhe pastruese.