top of page

Vrasja e Fatbardh Licit, GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë për Safet Bajrin dhe dy bashkëpunëtorët

GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për Safet e Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin.

Safet Bajri u arrestua ditën e premte në Shkodër ndërsa më pas u transferua në Tiranë. Ata akuzohen për vrasjen e Fatbardh Licit, e ndodhur në gusht të vitit 2018 në Shkodër dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, tre të dyshuarit dyshohet se ekzekutuan xhaxhain e kundërshtarit të tyre, Ibrahim Lici, si një akt hakmarrje për vrasjen e mikut të tyre, Boran Bërcana. Ky i fundit u ekzekutua brenda në makinën e tij, së bashku me partneren e tij, Silvi Ndoci.

Edhe pse policia në atë kohë kishte dyshime se ngjarja lidhej me konfliktet mes fiseve Lici dhe Bajri nuk siguroi prova për zbulimin e autorëve.

Nga ana tjetër, emri i Safet Bajrit është i njohur për policinë dhe drejtësinë. Në shtator të 2018-tës, Safet Bajri u vu në pranga në Tiranë me urdhër të prokurorisë së krimeve të rënda për disa vepra penale në sajë të operacionit Oaz, duke nisur nga ajo e drejtimit të organizatës kriminale, vrasje, trafikim të lëndëve narkotike, pastrim parash si dhe fiksimi i basteve sportive.

Bashkë me Bajrin në pranga u vunë edhe 10 persona të tjerë mes të cilëve edhe Astmer Bilali si dhe Behar Bajri për të cilët është caktuar këtë të premte një tjetër masë sigurie. Por 2 vite pas arrestimit prokuroria e posaçme, nuk provoi dot akuzat e grupit kriminal dhe trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike apo veprave të tjera dhe për këtë transferoi dosjen në prokurorinë e Shkodrës duke akuzuar Safet Bajrin vetëm për fiksim të basteve sportive.

Nga ana tjetër, ai rezultonte në listën e personave më të kërkuar të Belgjikës, i dënuar me 9 vite heqje lirie si kreu i një organizate kriminale për trafikun e drogës dhe prostitucionit. Për shkak se autoritetet shqiptare kanë firmosur një marrëveshje me ato belge sa i takon njohjes së dënimeve, ishte gjykata e Shkodrës që njohu dënimin për Bajrin, ndërsa në mars të vitin 2023 u lirua me kusht nga burgu i Fierit pasi vuajti 2 të tretat e dënimit.

bottom of page