Vrasja e Martin Çeços, e ndodhur në qershorin e vitit të kaluar në fshatin Kolanec të Maliqit, ka nxjerë në skenë një kakofoni rrymash të paligjshme, për të ndikuar tek Tina Pajollari, dëshmitarja e kryesore e atij krimi të tmershëm me mbytje me litarin e jonxhës dhe zhdukjen e trupit brenda në rezervuar.
Qëllimi i vetëm ishte që Tina Pajollari, të fshihte autorësinë e krimit tek të pandehurit, Valter Mollaj dhe kushëririn e tij Edlir Mollaj, duke sjellë rrethana lehtësuese që më vonë do shërbenin për lirimin nga burgu të dy personave, të cilët janë arresuar nga policia.
Dhe për këtë gjë ishin impenjuar disa persona në fshat si Taulant Zyko, dhe vetë mësuesi i Tina Pajollarit, shtetasi Alit Xhezari, i cili është koleg me vëllain e personit të arrestuar për vrasjen, Valter Mollaj.
Por në përgjimet e siguruara nga “Ora Neës” del se mjaft aktive në këtë drejtim për manipulimin e dëshmisë që Tina Pajollari kishte dhënë në polici, ishte dhe gazetarja Ana Allamani, e cila në atë kohë shërbente pranë emisionit televiziv “Me zemër të hapur”.
Mbetet e paqartë se pse dhe cili ka qënë interesi i gazetares Ana Allamani, për të ndryshuar thëniet e Tina Pajollarit, por ajo që është e sigurt në përgjimet telefonike të kryera nga prokuroria e Korçës, është fakti se ajo ka një rol mjaft të rëndësishëm të ndikimit.
Kjo pasi veç këshillave që i jep Tina Pajollarit dhe nënënës së saj Mirandës, për të mos shkuar në polici kur i thërisnin oficerat e hetimit të dosjes, gazetarja Allamani i premton nënë e bijë, se në këmbim të ndryshimit të thënieve të tyre në emisionin “Me zemër të hapur” do i ndihmonte me ushqime.
Madje guximi i gazetares Ana Allamani shkon edhe më larg, pasi gjatë bisedës telefonike me Miranda Pajollarin, shan me fjalë të rënda banale, punonjësit e policisë që po ndiqnin rastin hetimit të kësaj vrasje të tmershme.
Në dosjen hetimore ndër të tjera thuhet se:
”…ndikimi i shtetases Ana Allamani, për mohimin e deklarimeve të dhëna nga Martina Pajollari, fillimisht përmendet në deklarimin me regjistrim audio të Martina Pajollari të dhënë në datën 22 qershor 2022, e cila deklaron t’i ketë thënë: “…mos shko në Korçë (në Polici), hajde në Tiranë, do bëj çmund për ty, duhet të vish në Tiranë (në emision) për gjysëm ore e pastaj nuk ke më as telashe, asgjë…”, duke shtuar se numri i telefonit të gazetares ishte 0684137XXX. Gazetarja Allamani kishte komunikuar edhe me mamanë e saj, shtetasen Miranda Pajollari…”-thuhet në dosjen e prokurorisë.
Ndërkohë në një deklarim të datës 22 qershor 2022, të nënës së Martinës, Miranda Pajollari ka pohuar se:
”…lidhur me gazetaren Ana Allamani, dua të shtoj se dje pasdite, në datën 21 qershor 2022 më ka telefonuar një gazetare, më tha se quhet Ana dhe më ka thënë mos vija më në Polici, pasi j’u do na merrnit në qafë dhe do na burgosnit, si mua dhe vajzën.
Na tha se, nëse pranojmë të shkojmë në Tiranë, në emisionin e saj, na i paguante ajo paratë e rrugës dhe atje të themi se, çdo gjë që kemi deklaruar për autorët e kësaj vrasje, e kemi pranuar nga frika dhe nuk janë thëniet tona. Dua të shtoj se, kjo grua ka folur edhe me vajzën Martinën dhe si me mua, mundohej të na bindte të shkonim në Tiranë dhe të mohonim çdo gjë që kemi deklaruar në polici”.
“…këto të dhëna dhe premtimi për ndihma ushqimore, dalin dhe nga rezultatet e përgjimeve ambjentale dhe telefonike…”-thuhet në dosjen hetimore.
Mes disa bisedave të përgjuara nga prokuroria e Korçës, Miranda Pajollari dhe Ana Allamani gazetare e emisionit “Me zemër të hapur”, nënvizohet fakti se gazetarja kërkon që Martina Pajollari të paraqitet në emisionin e saj televiziv, për të thënë të vërtetën, të mos flasë me gazetarë të tjerë, se do i bëjë ajo të gjitha lëvizjet.
Madje sipas gazetares: “…goca (Tina) është në fije të perit…”.
Në vijim, kur Miranda Pajollari i thotë Ana Allamanit se është sugjuruar nga Policia e Korçës, të mos bisedojnë me gazetarë, ajo shan punonjësit e policisë me fjalë banale.
Ndërsa në negociata për të ndryshuar dëshminë e Tina Pajollarit është dhe Taulant Zyko, i cili bisedon në telefon me Mirandën dhe vetë Tinën, duke e orientuar që të ndryshojë dëshminë.
Miranda: E po kjo vajti u tha “Po” o derbardhë, tashi si të thotë “Jo”?!
Taulanti: Se kjo i tha Vali me Edin?
Taulanti: Juve thoni:”…nuk janë këta dhe nuk e di kush janë tjetër, kaq, se kjo Tina foli për së dyti apo jo?
Miranda: Eee..
Në telefon del dhe flet Martina Pajollari
Martina: Ja thashë për së dyti, po e hapi gojën kjo pastaj, nga frika, kishte thënë kjo. Më tha: “…O burra trego se na i tha jot ëmë të tëra…”.
Taulanti: Po të kanë provokuar o Tina…
Martina: I thanë kësaj, i kishin thënë:”…Do ta futim në burg…” për mua dhe kjo vajti tha pastaj prapë ato.
Për vrasjen e Martin Çeços, prokuroria e Korçës, ka mbyllur hetimet dhe dosjen hetimore ia ka kaluar gjykatës me të pandehur Valter Mollaj, kushëririn e tij Edlir Mollaj, Bleti Angjon dhe vetë dëshmitaren dhe protagonisten në krim Martina alias Tina Pajollarin.