Gazetari Sokol Bregu, duke folur në MCN mbi zbardhjen e ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, tha se Policia vendosi të gjitha resurset për zbardhjen në kohë rekord të kësaj ngjarje, pasi i duhej dhënë një përgjigje politikës.
Bregu ngriti pikëpyetjen nëse do të ekstradohen shtetasit që janë në kërkim për vrasjen, duke sjellë në vëmendje se Shqipëria s’ka marrëveshje ekstradimi me Portugalinë. Sipas Bregut historia nga ana hetimore s’ka përfunduar, pasi të dyshuarit kanë avokatë të mirë dhe mund të fshihen pas elementëve ligjorë.
Ajo që duhet të vlerësoj që e gjithë kjo sagë hakmarrje ka nisur për 10 mijë lekë të vjetra. Kjo tregon mendësinë, vrazhdësinë, me të cilën komunitetet në Shqipëri jetojnë. Pastaj marrja e gjakut që vazhdon. Gjakmarrja ka marrë një formë ndryshe në Shqipëri. Sipas Kanunit të Lek Dukagjinit, historia ishte e tillë, që kur vrisje do ngujoheshe. Tani e merr gjakun, por nuk ngujohet. Kjo e prish mënyrën e saktë të respektimit të rregullave të Kanunit të Lek Dukagjinit. Ka ndryshuar, por jo se ka mbaruar. Këto janë raste të pastra gjakmarrje edhe pse s’kemi atë formën e plotë të ngujimit në familje. Në këtë histori është përfshirë edhe kushëriri i parë. Me rregullat e kanunit ai s’duhet të përfshihej, pasi me rregull ata duhet të vijnë nga i njëjti trung” - tha Sokol Bregu.
Gazetari tha ndër të tjera se beson që shpenzimi dhe pagesa për ekzekutimin duhet të ketë qenë jashtëzakonisht e madhe, duke kapur shifra 200-300 mijë euro për person.
"Të gjithë persona, shtetas të huaj. Jam kurioz sa janë paguar të gjithë këta. Duhet të jetë para jashtëzakonisht e madhe. Ne s’kemi marrëveshje ekstradimi me Portugalinë. Edhe po ta shpallim në kërkim ndërkombëtar, procedurë që duhet të ketë përfunduar dje në orët e vona të natës, nuk besoj se do kemi fazën finale për arrestimin dhe ekstradimit. Për shtetasit anglezë duhet parë nëse do vijnë, apo thjesht do arrestohen në Angli dhe do merren në pyetje nga prokurorët tanë atje. Është një histori e gjatë, nuk besoj se nga ana hetimore ka përfunduar këtu. Këta janë njerëz që kanë avokatë jashtëzakonisht të mirë, do fshihen pas procedurave ligjore me shtetin shqiptar. Fakti që kanë lënë gjurmë...Po të shohësh vrasjen, është vrasje eksperte të vrasësh me pistoletë, të godasësh në shenjë duhet të kesh bërë shumë prova. Goditja e parë ka qenë në kokë. Si pushues i janë dukur viktimës, i cili ruhej jashtëzakonisht shumë, ishte i armatosur gjithë kohën.
Ekzekutori fizik ose ka pasur një jelek anti-plumb, ose është i mbushur me rroba për të ndryshuar fizikun e tij, pasi e di që po e xhirojnë kamerat. Portugez, e çuditshme si është infiltruar në këtë grup. Duhet të jetë një person që ka emigruar në Angli dhe është bashkuar me persona atje. Anglia ka statistika të larta të krimit. Ka shumë qytete që janë jashtë kontrollit të policisë. Birmingham është shndërruar në një vend ku mblidhen kriminelët dhe s’është aspak e vështirë të blesh dhe të çosh diku tjetër vrasës ekspertë. Pavarësisht se kanë lënë prova, ata janë ekspertë në atë që ka kryer. Ata e dinin që do identifikoheshin në këtë moment. Por duhet të shohim a do kapen. Vrasësit e tjerë të huaj nuk kanë mundur të largohen nga Shqipëria. Disa prej tyre i kanë të mbushura plot skedarët, por i kanë përfunduar dënimet e tyre. A kishim një mënyrë për t’i parë?! Mos harrojmë që në TIMS i ke të gjitha të dhënat kriminale, por nuk sheh njeri në këtë lloj forme në policinë shqiptare. Nuk i ndalon njeri, është çështje pasaporte. Ne duhet të lajmëronim dikë që shiko se janë me rekorde.
Ata e kishin menduar edhe faktin nëse do shquheshin dhe do kapeshin. Ata e kanë menduar mirë që kanë lënë provë dhe gjurmë. Për këtë arsye mendoj që shifra që kanë marrë është jashtëzakonisht e lartë. Ata e njohin mirë legjislacionin shqiptarë.
Garancinë e marrin nga avokatët mbrojtës. Absolutisht është hedhur një para e madhe. Vetëm shpenzimi për të kryer vrasjen është shumë i madh, jo më pagesa që ka marrë. Këto janë ekzekutime me 200-300 mijë euro për person. Nuk besoj se një njeri, duke ditur që vjen në Shqipëri, s’mund të operosh në një vend të huaj dhe të vogël dhe të marrësh përsipër një vrasje të tillë. S’ka vrasje perfekte, të gjithë lënë ndonjë gjurmë” tha Sokol Bregu.
Ai tha se shtetasit e huaj që kryejnë ekzekutime në Shqipëri gjithmonë lënë prova për shkak të vëmendjes që ka në drejtim të tyre.