top of page

Vula e PD, Gjykata e Apelit vijon prej 2 orësh seancën. Ja argumentet e palëve


Gjykata do të japë sot verdiktin e saj mbi vulën e Partisë Demokratike, nëse do të qëndrojë në duart e Enkelejd Alibeajt apo do t’i kalojë kryedemokratit Sali Berisha.


Seanca në Apel nisi në orën 11:00, dhe trupa gjyqësore do të shqyrtojë ankimimin e Alibeajt, i cili kërkon rrëzimin e vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e Kuvendit të Berishës të 11 dhjetorit 2021 si legjitim. Ndërkohë në këtë gjykatë janë shtuar masat e sigurisë.

Grupi i Alibeajt përfaqësohet në seancë nga avokati Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, ndërsa përfaqësues nga kryetarit të PD-së Berisha, është Ivi Kaso, i cili shoqërohet nga Oerd Bylykbashi dhe Ledina Mandia.

GJYQI


Gjatë fjalës së tij përfaqësuesi ligjor i Berishës, Kaso ka kërkuar që të Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet.

“Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha ai.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Alibeajt tha se nuk është momenti procedural që të ngrihen të tilla pretendime, ndërsa shtoi se gjykata duhet të shqyrtojë të gjitha elementet. Mes të tjerash ai argumentoi se ‘Rithemelimi s’lëshon dot autorizim’.

“Ky nuk është momenti procedural ku ngrihet ky lloj pretendimi. Ne mendojmë se kjo gjykatë duhet t’i shqyrtojë gjithë elementet. Ne kemi bërë edhe shtesat e ankimit tonë. Komisioni i Rithemelimit nuk ka personalitet juridik dhe nuk mund të lëshojë autorizim, që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit?”, pyeti Sefa trupën gjykuese.

Ivi Kaso: Enkelejd Alibeaj nuk është konfirmuar asnjëherë në detyrë. Nuk ka pasur votëbesim nga Këshilli Kombëtar. Alibeaj është komanduar në detyrë përmes një deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm, edhe ky i shkarkuar nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021. i vetmi organ për drejtimin e PD-së është Komisioni i Rithemelimit. Ankimimi është firmosur nga një person që nuk gëzon asnjë tagër.

Indrit Sefa: Lulzim Basha bëri kërkesë në Gjykate dhe tha jam pale e interesuar. Dhe në atë moment gjyqtari Agron Zhukri duhet t’a pushonte çështjen

Kujtojmë se sot opozita, ka thirrur një protestë kombëtare, e cila do të mbahet para Kryeministrisë. Protesta në fjalë do të nisë në orën 12:00, ndërkohë që Berisha tha se tubimi nuk kishte lidhje me vendimin që do të jepte gjykata për vulën.

bottom of page