top of page

Zgjedhjet/ Policia njofton masat: Mbi 5 mijë efektivë në terren

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit, për zgjedhjet e datës 14 maj 2023.

Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, mbajti  deklaratë për shtyp, për masat e ndërmarra me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë procesit zgjedhor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e këtij procesi.

Pjesë nga deklarata

Policia e Shtetit e filloi punën përgatitore, për hartimin dhe planifikimin e masave dhe të detyrimeve në kuadër të këtij procesi, që në muajin shkurt 2023, punë e cila konsistoi paraprakisht në hartimin e detyrave në Programin e Punës, hartimin e planeve të masave, si dhe të akteve të tjera, përmes të cilave do të përmbushen plotësisht detyrat funksionale të punonjësve të Policisë së Shtetit, gjatë procesit zgjedhor.

Për të plotësuar kuadrin normativ të këtij procesi, gjatë muajit shkurt 2023 dhe në vijim, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nxorri një sërë urdhrash, për përcaktimin e pikave të kontaktit, me qëllim raportimin e të gjitha veprimtarive me karakter publik ku përfshiheshin punonjës të Policisë së Shtetit.

Për raportimin e veprimtarive me karakter publik, të strukturave të Policisë së Shtetit, është përcaktuar Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.Për bashkëpunimin me KQZ-në, pikë kontakti është Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik.Për bashkëpunimin me organizatat ndërkombëtare, pika kontakti janë Drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike.

Gjithashtu, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që në muajin shkurt, u ngrit grupi i punës për monitorimin e angazhimit të punonjësve civilë, gjatë procesit zgjedhor.

Në vijim, u hartuan, u miratuan dhe u zbatuan urdhrat për planifikimin dhe organizimin e trajnimeve për punonjësit e Policisë, në strukturat e ngarkuara me përgjegjësi për këtë proces. Në këtë kuadër janë trajnuar 7530 punonjës policie, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, sipas niveleve të menaxhimit policor, që nga niveli bazë i veprimit policor.

Janë kryer përllogaritjet e numrit të punonjësve të Policisë dhe nevojave të tyre për pajisje, automjete dhe shërbime të tjera logjistike, që do të angazhohen për sigurimin e 5211 qendrave të votimit, 92 KZAZ-ve dhe 92 VNV-ve.

Në zbatim të kërkesave të Kodit Zgjedhor, brenda afatit të përcaktuar, më datë 03.05.2023, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dërgoi në KQZ:

  • Listën me 5511 punonjës policieqë do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore në të gjithë Shqipërinë, të cilët do të ndërhyjnë në rast se kërkohet nga komisionet zgjedhore apo nga KQZ-ja;

Janë prodhuar nga Policia e Shtetit, 6000 kopjeve të librit të xhepit, për detyrat funksionale të punonjësve të Policisë, gjatë procesit zgjedhor, kopje të cilat janë shpërndarë në të gjitha strukturat e Policisë.Janë përgatitur dhe miratuar urdhri i përbashkët i Ministrit të Brendshëm dhe Ministrit të Mbrojtjes, si dhe urdhri i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për marrjen në ruajtje të 57 objekteve të rëndësishme, të cilat do të sigurohen nga 192 punonjës policie nga forcat “Komando”.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ngritur grupin e drejtimit në nivel qendror, i cili aktualisht është në funksionim për menaxhimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, si dhe për verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij.

Në zbatim të detyrimeve të përcaktuara në vendimin nr. 12, të datës 30.12.2020, të KQZ-së, është përgatitur dhe miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, regjistri i posaçëm “Për çdo njoftim dhe referim të veprave penale në fushën zgjedhore”, i cili administrohet që prej fillimit të procesit zgjedhor nga çdo komisariat policie, drejtori vendore policie, si dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ky regjistër është i aksesueshëm nga KQZ-ja dhe nga subjektet elektorale.

Theksojmë se punonjësit e Policisë së Shtetit, deri tani, nuk janë përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe me Kodin Zgjedhor, përkundrazi, ata janë angazhuar maksimalisht për përmbushjen e detyrave të përcaktuara në planet e masave, urdhrat dhe udhëzimet ligjore, të miratuara me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, si dhe për garantimin e rendit dhe sigurisë, gjatë tubimeve elektorale dhe gjatë gjithë procesit zgjedhor në tërësi.Policia e Shtetit është tejet e vendosur dhe e angazhuar për të mbajtur në kontroll të plotë të gjithë territorin e vendit, me qëllimin e vetëm, sundimin e ligjit. Në këtë kuadër, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet e përfshira në këtë proces, që të respektojnë plotësisht të gjitha detyrimet ligjore me të cilat i ngarkon Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera. Gjithashtu, Policia e Shtetit garanton qytetarët se ka ndërmarrë të gjitha masat, që e drejta e tyre kushtetuese për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit lokal, të ushtrohet e lirë, e qetë, e pacenuar dhe e paintimiduar prej askujt.

bottom of page