Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç sot do të takohen në Bruksel, takim nga i cili pritet marrëveshje për normalizim bazuar në propozimin franko-gjerman.
“Euroactiv”, duke cituar një zyrtar të lartë të BE-së, ka raportuar se Rusia është duke tentuar që të pengojë arritjen e një marrëveshje në takimin e sotëm.
“Rusia ndërhyri dhe u përpoq të pengonte këtë punë,” tha një zyrtar i lartë i BE-së, duke vënë në dukje se ambasadori “hiperaktiv” i Moskës në aleatin e saj tradicional Serbinë kishte dhënë një sërë intervistash në media me qëllimin për të prishur një marrëveshje të mundshme.
Deklaratën e ambasadorit rus në Serbi se “nuk është koha e duhur për të trajtuar çështjen e Kosovës dhe duhet pritur derisa të vendoset Rendi i Ri Botëror mes Rusisë dhe Perëndimit”, ky zyrtar i BE-së, që ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se e sheh si një kërcënim për presidentin serb Vuçiç, duke e paralajmëruar atë të mos pajtohet me propozimin.
“Nuk e kam vërejtur që kjo të ketë ndikim në qëndrimin e presidentit Vuçiç, por sigurisht që ka ndikuar tek një pjesë e opozitës në Serbi dhe kemi parë disa demonstrata të dhunshme”.
Ky zyrtar, sipas Euroactiv, ka thënë se BE pret që palët të pajtohen me propozimin.
“Ne presim që të dy udhëheqësit të miratojnë propozimin,” u tha gazetarëve të premten një zyrtar i lartë i BE-së.
Ndërsa takimet e mbajtura në vitet e fundit kishin të bënin kryesisht me zgjidhjen e krizave dhe nënshkrimin e marrëveshjeve, shumë prej të cilave nuk u zbatuan kurrë, zyrtari i lartë i BE-së tha se qasja e së hënës tani më në fund do të synojë normalizimin e marrëdhënieve dhe mund të jetë “takimi më i rëndësishëm deri më tani”.