top of page

Buxhet pa prosperitet

Në 10 vitet e fundit, madhësia e buxhetit është rritur me 68%, kryesisht nga taksat mbi shtresën e mesme, por rishpërndarja e tij nuk ka shkuar në proporcion për rritjen e kësaj shtrese dhe mbrojtjen e të varfërve. Popullsia e vendit po ulet nga emigracioni dhe rënia e lindjeve, por buxheti i shtetit, edhe për vitin 2024, përqendrohet në investime të infrastrukturës fizike dhe më pak në kapitalin human. Teksa ekonomia është rritur, niveli i të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore në raport me PBB-në më 2024 mbetet njësoj si 10 vite më parë. Si do të gjenerohen 7,2 miliardë euro shpenzime dhe ku do të përdoren

 

Kapacitetet buxhetore të vendit kanë ardhur në rritje gjatë dekadës së fundit përkundrejt një popullsie në rënie. Kjo do të thotë se janë krijuar më shumë hapësira për të përmirësuar standardet e jetës, sidomos për shtresat më të cenuara.

Raporti i borxhit publik me PBB-në është përmirësuar nga 71.6% në 2014-n në rreth 61% këtë vit, duke i krijuar lehtësi qeverisë për të alokuar burimet buxhetore drejt kapitalit human.

Por ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit ka treguar se burimet buxhetore kanë shkuar për mbështetjen e aseteve fizike, si shpenzime, kapitale dhe operative, teksa fondet që mbështesin investimet në burimet njerëzore, arsim, shëndetësi, mbrojtje sociale dhe paga patën një rritje me të ulët.

Në vitin 2024 janë planifikuar për t’u shpenzuar gjithsej 735,9 miliardë lekë (7,2 miliardë euro), të cilat do të përdoren për administruar shërbimet publike për një popullsi rreth 2,7 milionë banorë. Në vitin 2014, qeveria kishte buxhet 438 miliardë lekë (ose 4 miliardë euro) për një popullsi prej rreth 2,9 milionë banorësh.

Shpenzimet buxhetore nga viti 2014 në vitin 2024 janë rritur me 68%, por brenda zërave shihet se rritjet kanë qenë joproporcionale. P.sh. fondet për shpenzimet kapitale u rritën me 111% nga 2014 në planin e 2024, kurse fondet për arsimin parauniversitar (pa përshirë arsimin profesional) u rritën vetëm me 38%.

Ndërkohë, paga reale në sektorin publik u rrit me vetëm 16% gjatë periudhës 2014-2022, ndërsa pensioni real ka pësuar ulje gjatë kësaj periudhe. Të dhënat zyrtare tregojnë se pensioni mesatar në vend arriti në 18,794 lekë në vitin 2023, me rritje 22.7% në krahasim me vitin 2014, por inflacioni gjatë kësaj periudhe është rritur më shumë se 25% duke bërë që pensioni në vitin 2024 të jetë më i ulët se një dekadë më parë.

Burimet buxhetore kanë synuar të përmirësojnë infrastrukturën e vendit, pa ndihmuar në reforma arsimore që do të orientonin ekonominë drejt një modeli të ri me fitime më të larta.

Bilanci i dekadës tregon se, kanë ikur në emigracion të paktën 400 mijë persona (sipas INSTAT), ndërsa investimet publike të përqendruara në periferinë e vendit e kanë lënë qendrën e vendit Tiranë – Durrës -Shkodër, ku është përqendruar 60% e ekonomisë dhe popullsisë pa infrastrukturën bazë.

Edhe për vitin që vjen, nga rreth 7,2, miliardë euro shpenzime buxhetore, rreth 1,2 miliardë euro do të shkojnë për investime publike, në rrugë dhe ujësjellës. Ekspertët e ekonomisë mendojnë se ka një rishpërndarje të padrejtë të buxhetit.

Selami Xhepa, eksport i njohur për çështjet fiskale, thotë se, shtresa e mesme ka qenë burimi kryesor i rritjes së të ardhurave buxhetore, por ndërkohë rishpërndarja nuk ka gjeneruar mundësi për rritje të të ardhurave për të arsimuarit.

Kombet e Bashkuara analizuan se, familjet e shtesës së mesme në Shqipëri zotëronin vetëm 14.8% të konsumit në vend më 2008, ndërsa pjesa tjetër zotërohej nga të varfrit, 30%, dhe shtresat e cenuara, 57%.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, shtresa e mesme zotëronte vetëm rreth 16% të konsumit, me një shtesë rreth 2% nga viti 2008, por aplikimi i taksës progresive mbi pagat frenoi rritjen e mëtejshme të kësaj shtrese me të paktën edhe 2% të tjera, referoi analiza e OKB-së.

Ekspertët e çështjeve fiskale mendojnë se, në dekadën e fundit, mjedisi ekonomik nuk ka gjeneruar mundësi për shtresën e mesme, por përkundrazi. Eduart Gjokutaj, ekspert fiskal, tha se shikimi i ecurisë së pagës, të ardhurat, janë ose në vendnumëro, ose kanë filluar të bien për klasën e mesme, nëse marrim në konsideratë edhe inflacionin.

Treguesi i pagës mesatare në vitin 2013 ishte 52.150 lekë/muaj, ndërsa në vitin 2022, është 66.014 lekë në muaj (paga mesatare për sektorin publik dhe privat së bashku), me rritje prej 26% në 10 vjet. Inflacioni në këto 10 vjet është rritur në total me të paktën 26.6%.

Banka Botërore analizoi se rritja ekonomike e Shqipërisë në dekadën e fundit është bërë gjithnjë e më shumë joelastike, duke u bërë shkak për rritjen e pabarazisë. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2008, rritja prej 1% e PBB-së u shoqërua me ulje të varfërisë prej 0.9%. Midis 2014 dhe 2017, një rritje prej 1% e PBB-së rezultoi në rënie të varfërisë vetëm 0.3%.

 

Buxheti 2024, përkeqësim në raport me PBB-në

Teksa të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore në vlerë neto rriten nga viti në vit, ato nuk janë në gjendje të ndjekin ritmet e rritjes ekonomike. Kjo do të thotë se hapësirat e reja që po krijon ekonomia po mbeten të pataksuara, ndërkohë që barra fiskale rëndon tek ata që paguajnë në mënyrë të rregullt.

Në projektbuxhetin e vitit 2024, të ardhurat parashikohet të arrijnë në 27.7% të PBB, me ulje 0,4 pikë për qind në raport me këtë vit. Siç shihet nga të dhënat zyrtare, të ardhurat në raport me PBB mbeten të njëjta si në vitin 2016, duke mbetur gjatë 9 viteve të fundit në vendnumëro.

Ecuri të ngjashme kanë pasur edhe shpenzimet publike. Në buxhetin e vitit 2024, ato pritet të arrijnë në 30.2% të PBB, ose 1,2 pikë për qind më të ulëta se në vitin 2014. Shqipëria vuan nga informaliteti i lartë dhe për pasojë, ka nivelin më të ulët në rajon dhe Europë për grumbullimin e të ardhurave në raport me PBB-në. Në rajon, mesatarja e grumbullimit të të ardhurave është rreth 35% e PBB-së, ndërsa në BE, më shumë se 42%.

Buxheti i vitit 2024 do të ketë në total për të shpenzuar rreth 735,9 miliardë lekë (rreth 7,2 mld euro), prej të cilave 633,7 miliardë vijnë nga të ardhurat dhe pjesa tjetër është borxh i ri (deficiti) prej 61,9 miliardë lekësh.

Siç mësohet nga relacioni i projektbuxhetit 2024, pjesën më të madhe të financimit do ta marrin investimet publike me 128,5 miliardë lekë (1,2 miliardë euro).

Fondi shtesë për rritjen e pagave është 11 miliardë lekë, rreth 100 milionë euro. Sektori publik ka rreth 184 mijë punonjës, nga të cilët rreth 84 mijë janë në administratë dhe pjesa tjetër janë punonjës në shërbimet bazë të sektorit publik, arsim, shëndetësi dhe polici.

 Në vitin 2024, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 674.7 miliardë lekë, nga këto, të ardhurat tatimore 633.7 miliardë lekë dhe brenda zërit të të ardhurave tatimore, të ardhurat që mblidhen nga tatimet dhe doganat, 447 miliardë lekë.

Ndërkohë, të ardhurat nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe sigurimin shëndetësor, planifikohen të jenë 156.7 miliardë lekë. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2023, të ardhurat totale të buxhetit rriten +19.5 miliardë lekë, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet, doganat dhe kontributet, pa marrë në konsideratë të ardhurat e vitit 2023, programohen të rriten rreth +8.25% ose +45 miliardë lekë.

Të ardhurat tatimore dhe doganore, përfshirë kontributet e sigurimeve janë projektuar bazuar në analizën e trendit historik shumëvjeçar të tyre, realizimit të pritshëm në vitin 2023 dhe faktorizimit të të gjithë elementeve që do të ndikojnë në të ardhurat e vitit 2024 përfshirë efektet nga: rritja ekonomike, indeksi i çmimeve, politikat e reja fiskale, si dhe të ardhurat shtesë nga miradministrimi.

Në kuadrin makroekonomik për vitin 2024 është parashikuar rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.8%, dhe indeksi i çmimeve 3%.

Këta tregues janë analizuar të kenë efekte në mënyrë të integruar me faktorë të tjerë për çdo taksë në veçanti, të ndërlidhur me të dhënat historike dhe projeksionet e çmimeve në tregjeve ndërkombëtare te taksat ad-valorem si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Renta Minerare dhe Taksa Doganore.

Ministria e Financave sqaroi se në projeksion janë përfshirë faktorë që lidhen edhe me kursin mesatar të pritshëm të këmbimit EUR/ALL dhe USD/ALL, si dhe çmimet e vlerësuara të bursës për mineralet, nënproduktet e naftës etj.

Paketa Fiskale 2024 ka propozime të cilat gjenerojnë të ardhura shtesë në zërin e Akcizës, Tatimin mbi të Ardhurat nga Profesionet, si dhe nga Taksat nacionale me rreth 7 miliardë lekë (69 milionë euro).

 

Shpenzimet 7 miliardë euro, si do të ndahen

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2024 programohet në nivelin 735.9 miliardë lekë (7.2 milionë euro) ose 30.2% e PBB. Shpenzimet e personelit për vitin 2024 reflektojnë koston aktuale të Administratës Publike, si dhe politikën e re të rritjes së pagave nga korriku i vitit që vjen.

Fondi për vijimin e rritjes së pagave, duke filluar nga 1 korrik 2024 është planifikuar në shumën 11 miliardë lekë dhe përfshin rritjen e pagës për punonjësit e sistemit shëndetësor, arsimor, punonjësit me grada dhe nëpunësit e administratës publike.

Shpenzimet totale për pagat në Administratën Publike janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë, ose 4.9% e PBB.

Shpenzimet për interesa parashikohen në nivelin 66.2 miliardë lekë, ose 2.7% të PBB, duke përfshirë në të dhe një rezervë prej 5.3 miliardë lekësh për të parandaluar rreziqet e mundshme nga luhatjet e normave të interesit, kursit të këmbimit etj.

Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes për qeverisjen qendrore për vitin 2024 (pa përfshirë shpenzimet që realizohen nga institucione publike, që kanë si burim financimi të ardhurat jashtë limitit), janë parashikuar në masën 63.2 miliardë lekë, ose rreth 2.6% e PBB-së.

Në këtë zë është programuar mbështetja me prioritet e politikave ekzistuese të qeverisjes qendrore si: skema e fermerëve, mirëmbajtja e rrugëve nacionale, mirëmbajtja e sistemeve të IT, skemat për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe mbështetje për arsimin e sportin.

Shpenzimet e buxhetit vendor për vitin 2024 janë parashikuar në masën 71.1 miliardë lekë, me rritje prej 10.4% më shumë se buxheti i vitit 2023. Këto shpenzime për vitin 2024, zënë 2.9% të PBB-së nga 2.3% që zinin në vitin 2014.

Transferta e pakushtëzuar për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023 është 2.5 miliardë lekë më shumë, ose rreth 12% më e lartë dhe krahasuar me vitin 2015 (viti para reformës administrativo-territoriale), është 12.1 miliardë lekë më shumë, ose rreth 92% më e lartë.

Në transfertën e pakushtëzuar të parashikuar për vitin 2024, 24.3 miliardë lekë, do të shtohen edhe fondet prej 10.7 miliardë lekësh transfertë e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja, si dhe 1.5 miliardë lekë transfertë sektoriale për rritjen e pagave.

Në total, në vitin 2024, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 36.5 miliardë lekë.

Shpenzimet e fondeve speciale, që përfshijnë shpenzimet totale për Fondet e Sigurimeve Shoqërore, Shëndetësore dhe kompensimin në vlerë të ish-pronarëve, janë planifikuar në vlerën 249 miliardë lekë ose 10.2% e PBB.

Niveli i shpenzimeve për Skemën e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2024, parashikohet në masën 178 miliardë lekë ose 7.3% e PBB. Nga ky fond, për indeksimin e pensioneve është parashikuar niveli prej 4.1 miliardë lekësh dhe 3.6 miliardë lekë për bonusin e fundvitit për pensionistët.

Shpenzimet e Skemës së Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për vitin 2024 janë parashikuar në masën 58 miliardë lekë ose 2.4% e PBB-së. Së fundi, shpenzimet për Fondin e Kompensimit në vlerë të Pronarëve, parashikohen në total në masën 5 miliardë lekë, ose 0.2% e PBB.

Shpenzime të tjera sociale përfshijnë fondet për pagesën e papunësisë, aftësisë së kufizuar, ndihmës ekonomike, dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë dhe bonusin e lindjeve.

Shpenzimet për pagesën e papunësisë parashikohen në nivelin 800 milionë lekë.

Shpenzimet për pagesën e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar parashikohen në nivelin 26.25 miliardë lekë ose 1.1% e PBB. Për ish të përndjekurit është parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh, ose 0.05% e PBB.

Për bonusin e lindjeve është parashikuar një fond prej 2.2 miliardë lekësh, ose 0.1% e PBB. Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë, duke u rritur krahasuar me një vit më parë.

Këto shpenzime shkojnë për mbështetjen e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve bazuar në ecurinë e tij, për nxitjen e punësimit, për të mbuluar një pjesë të shpenzimeve të veprimtarisë hekurudhore dhe veprimtarisë së shërbimeve qeveritare.

Niveli i Fondit Rezervë për vitin 2024, planifikohet në masën 2.5 miliardë lekë, dhe përdoret për raste të paparashikuara. Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 7 miliardë lekë).

Në planifikimin e investimeve për vitin 2024 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Deficiti buxhetor, 2.5% e PBB-së, borxhi arrin në 59.8% e PBB-së

Deficiti buxhetor për vitin 2024 planifikohet të jetë në nivelin 2.5% të PBB nga rreth 2.2% i pritshëm për vitin 2023.

Balanca primare pritet të jetë pozitive në rreth 0.2%, në një përmirësim nga balanca primare neutrale (0%) që pritet për vitin 2023. Në vijim, ky target do të jetë edhe ligjërisht i detyrueshëm, parashikuar në Ligjin Organik të Buxhetit, ku përcaktohet që duke filluar nga viti buxhetor 2024 e për çdo vit në vijim, balanca primare të rezultojë jo më e vogël se sa zero (pra së paku e balancuar ose pozitive).

Balanca korrente fiskale (diferenca midis investime publike dhe deficitit fiskal) do të jetë pozitive në vitin e ardhshëm 2024, në nivelin prej 2.7% të PBB, nga një nivel i pritshëm përsëri pozitiv prej 3.7% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin përkatës fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit).

Edhe borxhi publik bruto do të vijojë trajektoren e rënies në përputhje me rregullin përkatës fiskal. Në vitin 2023 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 61.5% të PBB dhe pritet të vijojë të ulet më tej në rreth 59.8% në vitin 2024.

Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të ulet në rreth 58.9% në vitin 2026 dhe më tej, në rreth 52.7% në vitin 2031.

bottom of page