
Drejtori i Lali Erit për Ujësjellësin, Elton Kacidhja shpërdoron paratë duke ua dhënë tenderët miqve të tij të akuzuar për korrupsion. Kështu, Ujësjellës Kanalizime Tiranë do të shpenzojë 700 milionë lekë për transportimin e parave, në një tender të dyshimtë. Prokurimi ka si objekt “Ruajtja dhe Siguria Fizike me roje private dhe shoqërimi i vlerave monetare për UKT sh.a”.
Gara për këtë tender është hapur më datë 11 tetor 2023 dhe afati për paraqitjen e ofertave ka qenë deri më datë 13 tetor. Por, siç shihet në dokument vetëm firma BRECANI R.O.S.P. Shpk ka paraqitur interes. Bëhet fjalë për kompaninë, përfaqësues i së cilës është Erzen Breçani, që këto ditë u arrestua nga SPAK për pjesëmarrje në grupe kriminale dhe korrupsion, pastrim parash, trafik droge dhe favorizim krimi. Me letra, pronar i kompanisë është Fatbardh Brecani, por më media kompaninë e ka prezantuar gjithmonë Erzeni.Sipas ligjit, prokurimi duhej të anulohej për shkak se ka mungesë konkurrence, por Kacidhja ka vazhduar me planin e tij. Ushtari i Lali Erit në këtë rast ka bashkëpunuar me Breçanin pa pyetur për ligjin mbi prokurimet. Ai është mësuar që edhe kur ka mbi 10 konkurrent i ‘pret kokat’ të gjithëve dhe lë në garë vetëm firmën e paracaktuar. Kishte në garë vetëm firmën që dëshironte (kompaninë e Erzen Breçanit) e cila kishte paraqitur një vlerë të shtrenjtë sa 99% e fondit limit dhe këto pikat plotësonin më së miri skemën e Kacidhes dhe Lali Erit për të përfituar lekë nga afera e radhës.

Kështu menjëherë është firmosur kontrata me Breçanin në mungesë të konkurrentëve dhe me ofertë super të shtrenjtë. Për këtë tenderi ka marrë “Red Flag” nga Open Data Albania. Kjo shenjë tregon riskun e korrupsionit në këtë procedurë prokurimi.
Në dokumente shohim se Breçani do t’i sigurojë UKT-së 11 vendroje vetëm për 12 muaj, ndërsa do të bëhen 23 dërgesa të parave fizike në dy banka. Për këto shërbime, fatura është e fryrë, sepse praktikisht kompania angazhon në ruajtjen e selisë së UKT vetëm dy roje. Ndërsa për transportin e parave nuk marrin pjesë më shumë se 6 policë privatë.

Këto para mblidhen nga tarifat që paguajnë banorët e kryeqytetit, që presin Lali Erin të mbajë premtimin për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë. Deri tani uji nuk është i pijshëm, ndërsa furnizimi nuk i kap as 6 orë në ditë deri në 11 orë, sipas rajoneve.
SPAK-u duhet ta shënojë këtë tender sepse njerëzve të Erzen Breçanit po u lihen në dorë vlera të larta monetare!