top of page

Vangjel Tavo i fal tenderin, Arbër Abazi mbledh me fshesë 2.6 miliardë lekë

  • Writer: Editor 1
    Editor 1
  • 21 hours ago
  • 4 min read

Afro 2.6 miliardë lekë do të arkëtojë Arbër Abazi për pastrimin e fshatrave të Himarës. Mos i fërkoni sytë, se është e vërtetë! Në datën 20 maj 2025, pasi mbaruan festimet e fitores së zgjedhjeve, kryetari Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, i ka dhënë nipit të politikanit të PS-së, Sadri Abazi, tenderin e pastrimit të kësaj zone.

Komisioni i tenderit të organizuar nga “Ndërmarrja e Shërbimeve Publike Himarë” kishte përllogaritur se për pastrimin e duhen 256 568 919,00 lekë pa TVSH, për 36 muaj. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “Pastrimi i Njësive Administrative Himarë, Horë, Vranisht” i shpallur më 8 prill 2025.Deri në datën e fundit për dorëzimin e dokumenteve, më 8 maj 2025 u paraqitën 4 operatorë konkurrues: “Pastrime Silvio” shpk, “Rej” shpk, “Alko Impex Construction” shpk dhe “Fusha” shpk. Janë katër peshkaqenë të tenderave të cilët nuk priten të konkurrojnë me njëri tjetrin. Ofertat e tyre kanë qenë të përafërta, me diferencë 1 milion lekë nga njëri tjetri, që të lë dyshosh për marrëveshje të heshtur.

Dyshimi se tenderi është paracaktuar për Arbër Abazin, shtohet pasi, oligarku tjetër, Shkëlqim Fusha është tërhequr duke mos paraqitur dokumentet për vazhdimin e garës.

Kështu, kompania “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” ka bërë ofertën 254 379 766,00 lekë pa TVSH, “Pastrime Silvio” shpk ka propozuar vlerën 253 867 125 lekë pa TVSH, “Rej” shpk ofroi 255 319 307.48lekë pa TVSH dhe “Fusha” shpk dha ofertën 255 930 381.17 lekë pa TVSH.


Kompania “Pastrime Silvio” shpk, që ka dhënë ofertë më të vogël se ajo fituese, është skualifikuar pasi, sipas komisionit, nuk ka kapacitet financiar për të marrë këtë kontratë.

Për shkeljet gjatë procedurës, tenderi është shënuar nga Open Data Albania më “Flamur të kuq”, që është shenja e riskut të korrupsionit. Në përshkrimin e procedurës shënohet se është bërë “Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”.


Abazi gllabëron tenderat e mëdhenj

Me ndërhyrjen e Sadriut deputet deri në shtator 2021 dhe kohët e fundit të një deputeti tjetër, Arbër Abazi, gjatë 10 viteve të fundit, ka arritur të kalojë mbi 100 milionë euro nga arka e shtetit shqiptar në llogaritë e kompanive ALKO-IMPEX General Construcion dhe ALKO IMPEX CONSTRUCTION (Ish KLEDOR ALBANIA-09).

Pas pesë vitesh në 17 mars 2025, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” përmes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara shpalli tenderin për rikonstruksionin e godinës së Djegies Plastike në QSUT, Tiranë, projekt do të financohet nga buxheti i shtetit me fondi limit 522 milionë lekë ose 5.2 milionë euro.

Për këtë tender u regjistruan gjithsej dymbëdhjetë operatorë ekonomikë, pesëmbëdhjetë ditë pas mbajtjes së tenderit u shpall fitues bashkimi i kompanive “AGRI CONSTRUCTION – ALKO IMPEX CONSTRUCTION” me ofertë 487 milionë lekë.

Disa prej operatorëve ekonomikë kërkuan më pak para për të realizuar projektin, psh. “ERGI”  me “BE-IS”  kërkuan 446 milionë lekë, pra 40 milionë lekë më pak se fituesit. Ajo që bie në sy është fakti se përveç konsorciumit fitues, të njëmbëdhjetë operatorët e tjerë ekonomikë janë skualifikuar që në fazën e parë duke ia garantuar fitoren biznesmenëve Petrit Patushi dhe Arbër Abazit.

Më herët, Gentian Gjyli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) brenda 10 ditëve, në 18 dhe 28 shkurt 2025 i ka firmosur dy kontrata Arbër Abazit, nipit të politikanit të PS-së, Sadri Abazi. Vlera totale e dy kontratave të mirëmbajtjes rutinë të rrugëve është 314,827,740 lekë.

Në 18 dhjetor 2024, kompania e tij mori tenderin “Zgjerimi i rrjetit të kanalizimeve dhe rehabilitimi i Stacioneve të Pompimit të Ujrave të Ndotura, Ksamil” me fond 91 797 491,00 lekë nga Ujësjellësi i Sarandës, që varet nga ministria e Belinda Ballukut.

Më 30 shtator 2024, iu dha nga bashkia Kuçovë kontrata “Rikonstruksioni, krijimi i ambienteve sportive dhe ndërtimi i palestrës në shkollën “Gaqi Karakashi”, Bashkia Kuçovë” me vlerë 107 109 566,00 lekë.

Më 11 mars 2025, Abazi mori nga Gjyli i ARRSH-së kontratën “Loti 5: Mirëmbajtje me performancë ”Shirgjan (K/Rr.Nr.70) – Llixha, Llixha – Kaçivel (Gramsh) , Mjekës – Uzinë, Cërrik (Kryq Belsh) – Shalës – Belsh, Shtërmen – RadioStacion(të dy stacionet)” (35.7 km)” me vlerë 112 011 900,00lekë.

Më 21 mars 2025 i është dhënë kontrata “Loti 2: Mirëmbajtje me performancë: Gramsh – Mollë Grabovë (kufi Korçë) (23.7) + Gramsh – K/Drize (6.9) + K/Drize – Banje (8.7) + K/Drize – Kaçivel (Elbasan) (6.6) + Drize – Poroçan (Kanioni i Holtes) (8.7). L = 54.6 km” me vlerë 175 842 112,00 lekë.

Ndërkohë, së fundmi, duke u kthyer tek kryebashkiaku Tavo, kjo kompani ka përfituar tenderin “Rikonstruksioni i rrugës Cakua Himarë, Loti I” me vlerë   41,666,667 lekë. Po ashtu, vazhdon kontratën “Mirëmbajte e gjelbërimit në hapësirat publike dhe varrezat” me vlerë 43 333 333,00 lekë.

Arbër Abazi nën hetim nga SPAK bashkë me Jonaid Myzyrin

Më 8 prill 2025, Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Jonaid Myzyri, është thirrur nga SPAK dhe është marrë në pyetje për dy orë rresht nga prokurorët e posaçëm, në lidhje me dyshime për afera korruptive në dhënien e tenderave shtetërorë.

SPAK po heton skemën e korrupsionit mes Arbër Abazit dhe ish-punonjësit të tij, Jonaid Myzyri në krye të gjykatës së tenderave. Ky vijon të qëndrojë prej 4 vitesh në krye të gjykatës së tenderave sepse zbaton çdo porosi të tutorëve për ndarjen e tenderave kur palët prishen në pazar poshtë dhe çështja shkon në KPK.

Nga ana tjetër, Abazët kanë bllokuar disa hetime penale në Prokurorinë e Tiranës që do të çonin në arrestimin e Myzyrit. Ai e nisi karrierën e tij si jurist në firmën “ALKO IMPEX” administrator i së cilës është nipi i Sadri Abazit, shtetasi Arbër Abazi. Ky e promovoi Myzyrin dhe fillimisht e emëroi në KPP si specialist të thjeshtë. Në këtë periudhë KPP-ja drejtohej nga Evis Shurdha, e cila ishte vendosur në krye të këtij institucioni nga Ëngjëll Agaçi.

Që në fillim të mandatit të saj Evis Shurdha vendosi ta izolonte Myzyrin pasi e kapi në disa raste si bashkëpunëtor të disa kompanive të biznesit me të cilat ai ishte lidhur nëpërmjet shokut të tij Arbër Abazi. Myzyri u detyrua të jepte dorëheqjen si specialist dhe kaloi për disa kohë si shef i prokurimeve në ministrinë e Infrastrukturës të drejtuar nga Belinda Balluku.

Me shkarkimin e Evis Shurdhës nga drejtimi, Jonaid Myzyrit iu shfaq në horizont një mundësi e re. Me ardhjen si kryetar në KPP, Jonaid Myzyri favorizonte kompaninë e Arbrit.

Ndërsa kryebashkiaku Tavo, duke e favorizuar në tendera Abazin, mund të jetë thjesht zbatues i urdhrave nga lart, por përgjegjësia mbetet e shkruar në dokumente me emra konkretë.

Comments


bottom of page